PS refuzon t’i heqë imunitetin Ballukut: Rrëzojmë kërkesën e SPAK në seancën e 12 marsit. Nuk e japim autorizimin për ta arrestuar (VIDEO)
09 Mars, 2026 10:48
Madhësia e tekstit:
Partia Socialiste i ka dhënë mbrojtje politike Belinda Ballukut. Ulsi Manja, deputeti socialist dhe anëtari i Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, teksa prezantoi raportin e PS për kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e Ballukut, tha se nuk plotësohen kushtet për një masë sigurie më të ashpër.
Ai tha se PS nuk do të japë autorizimin për arrestimin e saj, pasi nuk ka akuza shtesë dhe prova konkrete se ajo ka tentuar të prishë provat, arratiset, apo të kryejë një tjetër vepër penale.
Raporti pritet të votohet, bashkë me draftin e demokratëve të cilët kërkojnë miratimin e kërkesës së SPAK për arrestimin e Ballukut, gjatë seancës së 12 marsit.
“Rreziku i prishjes së provave nuk u provua me fakte reale. Por janë konsiderata që në themel të tyre kanë ish-funksionin e ministres që mbante Belinda Balluku. Po të prishte provat, do të kishte një akuzë të dytë, që është ajo e prishjes së provave. Ndërkohë për arratisjen, ka një procedurë. Rreziku i arratisjes do të duhet të jetë real, dhe jo i supozuar. Balluku, edhe pse ka qenë në dijeni të hetimeve që në gusht, edhe pasi iu njoftua akuza nga SPAK, ajo ka udhëtuar disa herë jashtë shtetit. Përsëri është kthyer në Shqipëri në respekt të masës së sigurimit dhe në respekt të funksionit dhe procedimit penal. Ka udhëtuar në Bukuresh, në Athinë, Romë dhe në të gjithaq rastet është kthyer në Shqipëri, duke rrefkëtuar sjellje të rregullt ndaj autoriteteve. Ka dorëzuar mjetet e identifikimit. Edhe kartën e re të identitetit, që ka dalë pasi ka dalë masa, sapo është marrë në dorë nga deputetja, mbrojtja e saj e ka dorëzuar. Ju e dini që me kartën lëvizet në rajon.
Pretendimi se sanksioni penal, shtimi i sanksionit, hipotetikisht që mund të çoje në arratisje, bie poshtë. Dhe ky pretendim nuk qëndron. Mbi pretendimin e përsëritjes së veprës penale, këtu s’dua të ndaloj, pasi rreziku kërkon të jetë real dhe jo hipotetik. Edhe ky pretendim nuk qëndron. Ne si maxhorancë, arrijmë në përfundimin se nuk ka vend për dhënien e autorizimit për zëvendësimin e masës së sigurimit personal, atë të ndalimit të daljes jashtë shtetit me masën më të rëndë, atë të arrestit me burg, apo në shtëpi, të parashikuar nga neni 237 e 238 të Kodit Penal të Kushtetutës.”, tha ai.