Prezantuesja e njohur amerikane e lajmeve, Savannah Guthrie, ka bërë një apel të ri publik, duke deklaruar se familja e saj beson se nëna e tyre e rrëmbyer, Nancy Guthrie, është ende gjallë dhe se ka nevojë për ndihmën e publikut për gjetjen e saj. “Nëna jonë është ende atje jashtë. Kemi nevojë për ndihmën tuaj,” tha Guthrie në një video të publikuar në llogarinë e saj në Instagram, ndërsa familja hyn në një tjetër javë pas zhdukjes së 84-vjeçares.

Nancy Guthrie u zhduk në mes të natës nga banesa e saj në Tucson, Arizona, dhe u pa për herë të fundit më 31 janar. Autoritetet dyshojnë se ajo është marrë kundër vullnetit të saj. Zhdukja u raportua zyrtarisht më 1 shkurt, pasi ajo nuk u paraqit në një shërbesë kishtare të së dielës, gjë që ngriti shqetësimin e familjarëve. Megjithëse një afat i raportuar për pagesën e shpërblimit për kthimin e saj të sigurt skadoi të hënën, autoritetet kanë bërë të ditur se ende nuk ka një të dyshuar apo person me interes në këtë çështje. FBI ka deklaruar se nuk ka dijeni për ndonjë komunikim të drejtpërdrejtë mes familjes Guthrie dhe rrëmbyesve të dyshuar. FBI ka shpallur një shpërblim prej 50 mijë dollarësh për çdo informacion që mund të çojë në gjetjen e Nancy Guthrie, ndërsa po heton edhe një email me përmbajtje shpërblimi të dërguar mediave amerikane. Një afat i mëparshëm, që parashikonte pagesë në Bitcoin, kishte skaduar më 5 shkurt.

Familja ka publikuar deri më tani disa video, duke shprehur gatishmërinë për të komunikuar me rrëmbyesit e mundshëm dhe duke kërkuar prova se Nancy është ende gjallë. Në videon më të fundit, Savannah Guthrie shfaqet e vetme dhe u bën thirrje qytetarëve kudo, edhe jashtë Tucsonit, të raportojnë çdo informacion apo sjellje të dyshimtë. “Nëse shihni diçka, nëse dëgjoni diçka, nëse diçka ju duket e çuditshme, ju lutem raportojeni te forcat e rendit,” tha ajo. Nga ana e saj, Zyra e Sherifit të Qarkut Pima ka konfirmuar se hetimi mbetet aktiv dhe në vazhdim, por nuk ka informacione të reja për publikun. FBI ka bërë të ditur se agjentë nga e gjithë SHBA janë angazhuar në këtë çështje dhe se në Tucson funksionon një post komandues 24-orësh, me ekipe hetimore, analistë dhe ekspertë të menaxhimit të krizave. Autoritetet përsërisin thirrjen për bashkëpunim nga publiku, duke theksuar se çdo informacion, sado i vogël, mund të jetë vendimtar për zbardhjen e rastit.

Capture
Capture

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: