TIRANË – Në emisionin Open në News24, të moderatores Eni Vasili, u diskutua roli i Sorosit në politikat e qeverisë shqiptare. Kjo, pasi Aleks Soros u vu re se ishte i pranishëm edhe në Samitin Rajonal në Tiranë.

Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës Anuela Ristani tha se nuk e di se përse Aleks Soros ndodhej në Tiranë. Ajo shtoi që edhe nëse Sotos është iniciator i Open Balkan, nuk sheh këtu ndonjë problem.

Analisti Lubonja deklaroi se Soros në vitet 1990 në Shqipëri mbështeti shoqërinë civile, ndërsa tashmë është bërë palë me pushtetin. Ndërsa, ish-ministri i Jashtëm shqiptar Paskal Milo tha se për të, Soros është mbështetës i Open Balkan. Ndërkaq, për deputetin e PD Tomor Alizoti, Soros po mbështet një qeveri, që ka gjysmën e qeverisë në burg.

Anuela Ristani: Përbën ndonjë problem pse Soros është në Samit? Kam konflikt interesi si z Lubonja që të flas për të, sepse Soros ka qenë mbështetësi im sa i përket edukimit. Nuk kemi pse ta demonizojmë Ballkanin e Hapur. Nuk di të ta them pse ka qenë Aleks Soros aty. Edhe sikur të jetë organizatori i Open Balkan, nuk shoh probleme.

Fatos Lubonja: Open Balkan ishte problem për Kosovën, Bosnjën etj, sepse Serbia ishte shtet që merr shumë pushtet. Nuk është njohur shteti. Soros dikur ishte me shoqërinë civile, ndërsa tashmë është bërë palë me pushtetin. Nuk e di pse e bën këtë, ose është naiv ose ka interesa.

Paskal Milo: Kam qenë pjesë e Bordit Ekzekutiv të Soros dhe kam qenë me Ramën madje aty. Gjatë viteve 1990, Soros ka financuar shumë shkolla në Shqipëri, ka subvencionuar kulturën, shkencën, gazetarinë, ka investuar shumë para në atë kohë. Soros për mua është iniciatori i Ballkanit të Hapur. Kjo, sepse ai më ka shpjeguar idenë e Ballkanit të Hapur, që e quajti bashkëpunim mes vendeve në rajonin tonë. Shumë vite më parë ma ka shpjeguar këtë ide, që 3 vende ballkanike të bashkëpunojnë.

Tomor Alizoti: Soros tashmë nuk është më me shoqërinë civile, por financon parti. Edhe në Amerikë e akuzojnë se fuqizon me fonde parti të caktuara. Është bërë politikbërës i fuqishëm. Derisa vjen nga Nju Jorku në Tiranë, tregon se vetëm ai mund ta sjellë Zelenskyn tek ne. Ai ka shkelur idenë e filozofit Karl Popper, që fliste për shoqërinë e lirë dhe demokracinë e shëndoshë. Është skandal, sepse Soros mbështet një qeveri, që ka gjysmën e qeverisë në burg.

(d.xh – BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb