Dokumente të reja gjyqësore kanë hedhur dritë mbi një arkiv prej rreth 30 mijë email-esh që lidhen me aktivitetet financiare dhe marrëdhëniet e biznesit të ish-Princit Andrew, i njohur tashmë si Andrew Mountbatten-Windsor. Sipas të dhënave, materiali iu dorëzua Pallatit Buckingham që në vitin 2020, disa vite përpara nisjes së hetimeve aktuale policore.

Email-et, të siguruara nga një kontakt biznesi i afërt i Andrew-t, thuhet se përmbanin informacione mbi marrëveshje financiare të diskutueshme dhe komunikime që mund të tregonin ndarjen e informacioneve konfidenciale qeveritare gjatë periudhës kur ai shërbente si i dërguar tregtar i Mbretërisë së Bashkuar. Sipas dokumenteve të Gjykatës së Lartë, një kopje e plotë e arkivit iu dorëzua Lord Chamberlain-it në maj të vitit 2020. Në atë kohë, posti mbahej nga Lord Peel, zyrtari më i lartë administrativ në Familjen Mbretërore.

Kur u pyet për fatin e këtyre dokumenteve, Pallati Buckingham refuzoi të japë detaje, duke deklaruar se nuk mund të komentojë për shkak të hetimit policor në vazhdim ndaj Andrew Mountbatten-Windsor.

Çështja ka marrë vëmendje të re pasi javën e kaluar policia e Thames Valley rinovoi thirrjen për informacione nga publiku, pas arrestimit të Andrew-t nën dyshimin për sjellje të pahijshme në një funksion publik.

Një pjesë e email-eve, të publikuara më herët nga media britanike, sugjeronin se Andrew kishte marrë informacione konfidenciale nga zyrtarë të Thesarit britanik në vitin 2010 dhe më pas i kishte ndarë ato me biznesmenin Jonathan Rowland. Informacionet lidhen me krizën bankare në Islandë dhe me interesat financiare të familjes Rowland në sektorin bankar.

Dokumentet e publikuara në SHBA në kuadër të dosjeve të lidhura me Jeffrey Epstein kanë nxjerrë gjithashtu në pah marrëdhëniet e ngushta mes Andrew-t dhe familjes Rowland. Në këto dokumente përmenden mbështetja e tij për sipërmarrjet e tyre dhe garanci personale për biznesmenin David Rowland. Ndërkohë, studiuesi dhe autori Andrew Lownie ka kërkuar një hetim parlamentar mbi aktivitetin e Andrew-t gjatë kohës kur ai mbante postin e të dërguarit tregtar, duke argumentuar se ende mungon transparenca mbi dokumentet dhe vendimmarrjet që lidhen me të.

Nga ana e saj, policia ka deklaruar se është në dijeni të pretendimeve që qarkullojnë publikisht dhe u ka bërë thirrje personave që disponojnë informacione relevante të bashkëpunojnë me hetuesit. Andrew Mountbatten-Windsor ka mohuar vazhdimisht çdo shkelje ligjore, si në lidhje me aktivitetet e tij financiare, ashtu edhe me marrëdhëniet e tij me Jeffrey Epstein, duke këmbëngulur se nuk ka përfituar personalisht nga pozicioni i tij publik.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: