Prej orës 11:00 të paradites, qarkullimi në aksin e rrugës kombëtare Librazhd–Prrenjas është totalisht i bllokuar, duke shkaktuar kaos dhe radhë të gjata automjetesh në të dy drejtimet. Shkak për situatën e rëndë janë bërë rrëshqitjet masive të gurëve, me dhjetëra e qindra metra kub, që kanë rënë mbi trasenë e rrugës në zonën e njohur si “Kthesat e Dragostunjës”.

Situata paraqitet alarmante, pasi masat e mëdha shkëmbore kanë pushtuar plotësisht segmentin rrugor, duke e bërë të pamundur kalimin e mjeteve dhe duke rrezikuar seriozisht sigurinë e drejtuesve të automjeteve. Qindra qytetarë kanë mbetur të bllokuar për orë të tëra, në një nga arteriet më të rëndësishme kombëtare që lidh Librazhdin me Juglindjen e Shqipërisë.

Në terren ndodhen forca të shtuara të Policisë Rrugore, të cilat po monitorojnë situatën dhe po përpiqen të menaxhojnë trafikun, por pa asnjë zgjidhje konkrete, për shkak të mungesës së mjeteve nga kompanite qe mirëmbajnë këtë segment si dhe mungesës dhe ndërhyrjeve teknike për largimin e masiveve të gurëve.

Ndërkohë, kompania që po kryen punimet për zgjerimin e rrugës Librazhd–Dragostunjë–Hotolisht, e cila sipas burimeve në terren konsiderohet shkaktare direkte e kësaj situate, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim minimal për pastrimin e rrugës dhe rikthimin e qarkullimit. Kjo neglizhencë po rrezikon paralizimin për shumë orë të këtij aksi jetik, duke shtuar indinjatën e drejtuesve të mjeteve dhe banorëve të zonës.

Qytetarët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse, pasi përveç bllokimit të qarkullimit, ekziston një rrezik real për aksidente të rënda, nëse rrëshqitjet vijojnë ose nëse mjetet tentojnë të kalojnë në kushte të pasigurta.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb