Shefi i Forcave të Armatosura të Zelandës së Re, Tony Davis, ka dhënë dorëheqjen këtë të premte, pasi pranoi se kishte pasur një marrëdhënie romantike të papërshtatshme gjatë kohës kur mbante detyrën e komandantit të një njësie ushtarake. Dorëheqja e zyrtarit të lartë ushtarak ka shkaktuar reagime në vend, ndërsa vetë Davis ka pranuar përgjegjësinë për veprimet e tij, duke deklaruar se ato bien ndesh me vlerat dhe standardet e Forcave të Armatosura.

Në një deklaratë zyrtare, ai sqaroi se vendimi për t’u larguar lidhet me arsye personale dhe gabime të së kaluarës, për të cilat shprehu keqardhje. “Gabimet e mia ranë në kundërshtim me vlerat e Forcave të Armatosura. Këto çështje kishin të bënin me një marrëdhënie të papërshtatshme që kam mbajtur ndërsa isha komandant njësie dhe më vjen keq që nuk e deklarova kur pata mundësinë ta bëja këtë”, u shpreh Davis. Ministri i Mbrojtjes i Zelandës së Re, Paul Goldsmith, reagoi pas dorëheqjes, duke theksuar se rrethanat e largimit të shefit të ushtrisë do të shkaktojnë zhgënjim të madh në radhët e personelit ushtarak.

Ai vlerësoi 42 vitet e shërbimit të Davis, por theksoi se çështjet e integritetit, të cilat nuk ishin bërë të ditura më parë, e kishin bërë të pamundur vazhdimin e tij në detyrë.

“Unë i njoh 42 vitet e tij të shërbimit dhe kontributin në Forcat e Armatosura të Zelandës së Re. Arsyet për vendimin e tij lidhen me çështje integriteti, të cilat ai nuk i kishte zbuluar më parë. Ne të dy biem dakord që pozicioni i tij nuk është më i qëndrueshëm”, deklaroi ministri. Ndërkohë, Forcat e Armatosura të Zelandës së Re kanë njoftuar se nuk do të japin komente të mëtejshme për këtë çështje. Rasti i është referuar një inspektori të përgjithshëm të pavarur, i cili ka kompetencën të shqyrtojë dhe hetojë çështje që lidhen me sjelljen e personelit ushtarak, transparencën dhe shkeljet e mundshme brenda institucionit.

Tony Davis iu bashkua Forcave Ajrore të Zelandës së Re në vitin 1984 dhe u emërua në krye të Forcave të Armatosura në vitin 2024. Dorëheqja e tij vjen pas më shumë se katër dekadash karrierë ushtarake.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb