Këshilltarja Bashkiake e PD-së në Bashkinë e Tiranës Ilda Zhulali, e ftuar në News24 foli për vizitën e ministrit të Drejtësisë Toni Gogu në burgun e Fierit, ku takoi kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj. Ky i fundit deklaroi se është shantazhuar në burg dhe sfidoi kryeministrin, që të publikojë prova se i ka organizuar protestat ose ndryshe të japë dorëheqjen.
Zhulali tha se qeverisja sot i ngjan një bande kriminale. Ajo shtoi se është skandaloze që ministri Gogu viziton Veliajn, edhe pse nuk ka një arsye të thënë institucionalisht se përse kryetari i Bashkisë së Tiranës u transferua në Fier.
Ilda Zhulali nënvizoi se Gogu duhet të japë llogari se përse shkoi të vizitojë Veliajn dhe të dokumentojë vizitën me detaje.
Këshilltarja bashkiake e PD-së në Bashkinë e Tiranës Ilda Zhulali: Sot në Shqipëri, qeveria i ngjan bandës mafioze. Është skandaloze që ministri i Drejtësisë shkon në burgun e Veliajt, edhe pse ende nuk ka arsye institucionale se përse kryebashkiaku i Tiranës është transferuar nga burgu i Durrësit në të Fierit.
Kur e bëjnë këtë me një bashkëautor të krimit, mendoni se çfarë mesazhi i jep kjo sjellje një qytetari të thjeshtë, çfarë mesazhi i jep një protestuesi. Rama e konsideron veten gardian, Shqipërinë e quan burg të madh dhe shqiptarët si të burgosur. Ministri i Drejtësisë shërben si mesazher i një mesazhi kërcënues. Është skandaloze që ministri i Drejtësisë jep mesazh skandal shantazhues dhe për më tepër është edhe pastor.
Gogu duhet të japë llogari se përse shkoi në burgun e Fierit. Shteti është në dorën e një njeriu dhe ai është Edi Rama. Protestat janë e vetmja rrugë për të dalë nga kriza, sepse ky regjim nuk mund të qëndrojë më në këmbë. Protesta do shkojë vetëm në radikalizim, derisa Rama të japë dorëheqjen.
