Agjencia e Prokurimeve merr masa ndaj kompanive në QSUT
Analizimi i raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për QSUT-në i publikuar në dhjetor 2023 të jep përshtypjen e një anarkie në Qendrën Spitalore më të rëndësishme në Shqipëri.

Nga verifikimet e kryera në Spitalin e Urgjencës, sipas auditit, “Nga verifikimi fizik i kryer në Spitalin A2 (Urgjencës) në mars 2023 “ është konstatuar se në 1312 copë për 6 artikuj në vlerën 25 milionë lekë, nuk janë zbatuar specifikimet teknike” nga kompania “RO-AL” me pronar Robert Kaso.

Ka qenë Agjencia e Prokurimit Publik, e cila pasi ka marrë në dorëzim konkluzionet nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, ka zhvilluar një hetim më të thelluar, duke arritur në përfundimin se kompania “Ro-al” nuk ka përmbushur detyrimet kontraktuale. Më 25 Korrik 2024 me anë të vendimit nr. 73, APP-ja ka vendosur të përjashtojë operatorin ekonomik R0-AL nga e drejta për të fituar kontratat publike për një periudhë 12-mujore.

Një nga kompani tjetër që është penalizuar nga Agjencia e Prokurimit Publik për problemet me zbatimin e kontratave të përfituar nga QSUT-ja është “Biometric Albania” në pronësi të Artur Kadaresë.

Në korrik të vitit 2022, ish drejtoresha e Përgjithshme Albana Fico do të nënshkruante kontratën me kompaninë “Biometric Albania”, për tenderin “Furnizim vendosje të aparaturave mjekësore për spitalin e ri të ndërtuar (A2), loti 10”.

Në 30 nëntor 2022, QSUT, në zbatim të kontratës, ka marrë në dorëzim 130 shtretër pacienti me kontroll manual për vlerën 12 milionë lekë dhe 84 krevat spitalor ICU me 3 motor për vlerën 10 milionë lekë.

Por sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, “Nga verifikimi fizik i kryer në Spitalin A2 (Urgjencës), më datë 27 dhe 28 mars 2023 u konstatua se 130 shtretër pacienti me kontroll manual për vlerën 12 milionë lekë me TVSH, nuk janë të rinj, por të përdorur…”.

Edhe në këtë rast, Agjencia e Prokurimeve Publike me anë të vendimit nr. 74 në 25 Korrik 2024 do të përjashtonte “Biometrik Albania” nga pjesëmarrja në procedurat e Prokurimit Publik për një periudhë 12-mujore.

Emërimi i Albana Ficos si Drejtoreshë e Përgjithshme nga Ministria e Shëndetësisë është bërë fillim të dhjetorit 2021 deri në kryerjen e procedurave të konkurrimit në këtë pozicion pune. Sipas auditit, më QSUNT nuk ka kontratë punësimi të përkohshme ose të përhershme me Drejtorin e Përgjithshëm A.F. Pra gjatë të gjithë kohës që ka qenë në detyrë, ish drejtoresha e shkarkuar Fico, QSUNT është drejtuar me drejtor të përkohshëm dhe dy zv/drejtor përgjithshëm të përkohshëm.

Sipas ekspertit Erion Dasho, Shqipëria mund të ketë spitale që mund të jenë ndryshuar, mund të jenë lyer, mund të jenë shtruar pllaka, por teknologjia vjen duke u vjetëruar.

“Burimet njerëzore janë larguar dhe kanë lënë një sistem shëndetësor, i cili nuk është në gjendje që ti përgjigjet ashtu sikurse duhet nevojave shëndetësore të qytetarëve shqiptarë”, deklaroi Dr. Dasho.

Por teksa në rrjetën e SPAK-ut është rritur numri i zyrtarëve të lartë, në sektorin e Shëndetësisë bien më shumë të vegjlit. Deri tani i vetmi person i nivelit të lartë që është nën arrest dhe gjykim nga Gjykata e Posacme është ish ministri Ilir Beqaj.

Duhet theksuar se hetimet ndaj tij kanë marrë shumë kohë dhe përsa i përket problemeve të theksuara në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza askush nuk është vendosur përpara përgjegjësisë nga kupola për skandalin e Onkologjikut, për tenderat me shkelje, për grabitjen e zyrave të administratës dhe së fundmi për inekzistencën e një godine për djegiet plastike.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb