TIRANE – Prokurorët e Krimeve të Rënda kanë zbarkuar në Televizionin Klan për të marrë regjistrimet audio, në lidhje me skandalin ku është përfshirë kryetari i Gjykatës së Gjirokastrës, Guximtar Boçi.
Kreu i Gjykatës së Gjirokastrës është regjistruar duke i kërkuar favore seksuale një gruaje, duke i ofruar si shkëmbim favorizimin e saj në një gjyq për çështje prone.
Drejtuesi i emisionit “Stop” Saimir Kodra zbuloi se gruaja kishte nje proces gjyqësor me ish-bashkëshortin dhe ish-vjehrrën për çështje pronësie. Mësohet se ajo është rreth 38 vjeç dhe nënë e dy fëmijëve.
“Që në momentin e parë ai palo¬ gjyqtar i ka kërkuar favore seksuale. Ajo ka pasur një persekutim të tmerrshëm. Regjistrimet janë shumë. Ne kishim 1 orë e gjysmë regjistrime. Ajo është përballur me një dhunë të tmerrshme psikologjike dhe e regjistroi gjyqtarin dhe ai e kërcënoi më pas”, deklaroi Kodra.
Drejtuesi i emisionit “Stop” siguroi se ka bërë të gjitha kërkesat e nevojshme, për të siguruar mbrojtjen e gruas pas transmetimit të audio-skandalit në televizion.
(er.nu/BalkanWeb)