Inspektori i Përgjithshëm Dashnor Sula në një dalje për mediat reagoi pas skandalit me që zbuloi AKU në Qarkun Shkodër, ku subjekti MODI sh.p.k. ka importuar rreth 104 ton misër rifuxho të kontaminuar me Aflatoksinë B1 mbi normat e lejuara. Sipas tij, nga verifikimet rezultoi se sasia ishte e përzier dhe pa gjurmueshmëri, ndërsa në kontrollin fizik të 4 marsit 2026 u gjetën vetëm 9.5 tonë, duke ngritur dyshime për lëvizje të paligjshme të produktit.
Sula theksoi se ka indicie të forta që një pjesë e sasisë është hedhur në treg, pasi të dhënat nga Tatimet tregojnë tregtim prej rreth 119 ton gjatë periudhës nëntor 2025 – shkurt 2026.
Ai bëri me dije se AKU ka marrë masa të menjëhershme: bllokimin e produktit, vendosjen e 5 gjobave, urdhërimin e asgjësimit deri më 3 prill 2026 dhe referimin e rastit në Prokurori për shkelje penale, përfshirë përdorimin dhe tregtimin e produktit të pasigurt. “Nga 104 ton të bllokuara, janë konstatuar vetëm 9.5 ton, gjendje në datë 04.03.2026. Kjo është objekt hetimi. Ka indicie të forta se ka dalë në treg. Sipas të dhënave nga Tatimet, subjekti ka tregtuar rreth 119 ton gjatë periudhës nëntor 2025 – shkurt 2026.”, tha ai.
Sipas Sulës, janë konstatuar edhe shkelje të rënda nga subjekti, si prishja e shenjave të bllokimit dhe mungesa e gjurmueshmërisë, ndërsa paralelisht po verifikohen edhe përgjegjësi institucionale për mosbllokimin e ngarkesës në kufi. Ai sqaroi se rasti lidhet me ushqimin për kafshë dhe deri tani nuk ka prova për rrezik të drejtpërdrejtë për konsumatorët, por theksoi se institucionet kanë vepruar me kujdes maksimal për të parandaluar çdo pasojë.
