Anëtari i Kryesisë në PD, Grigels Muçollari ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Rama, duke e akuzuar se nuk dha përgjigje për çështjen e sigurisë dhe skandalin e lidhur me SHISH.
Muçollari thekson se Rama u fokusua te ndalimi i publikimit të informacioneve në media, ndërsa nuk njoftoi masa konkrete për parandalimin e ngjarjeve të ngjashme.
“Çdo gjë që krimi të mos merret vesh!”, shkruan Muçollari.
Reagimi i plotë:
Krimi të ndodhë, por të mos merret vesh!
Fjala që duhej të mbante sot Edi Rama, i sapokthyer nga OKB, duhet të ishte lajmërimi i dorëheqjes dhe përgatitjes së vendit për zgjedhje të reja, si e vetmja mënyrë për të kapërcyer krizën e rëndë të shkaktuar nga aferat korruptive dhe krimet e qeverisë.
Po nëse kjo nuk gjendet në etikën e Kryeministrit, të paktën pritej që të ishte i shqetësuar për skandalin e paprecedentë me Shërbimin Informativ të Shtetit, ku e emëruara prej tij u kap duke përkrahur një person në kërkim nga drejtësia dhe duke i dhënë atij informacione sekrete.
Edi Rama, në fakt, nuk bëri asnjërën nga këto. Ai, në mënyrë të paturpshme, bëri me faj SPAK për hetimet dhe akuzoi mediat për publikimin e ngjarjes.
Ai, pra, nuk është i shqetësuar për rënien e sigurisë kombëtare, për inkriminimin në këtë nivel ekstrem të bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, rrjedhimisht të atij vetë, por është i bezdisur nga publikimi i kësaj afere.
Dhe e vetmja masë që lajmëroi sot se do të merrte ishte që rrjedhja në media e provave të krimit të mos ndodhë më.
Asnjë reagim, asnjë plan që krimi të mos ndodhë më, por çdo gjë që krimi të mos merret vesh!
