Biznesmeni shqiptar Ermal Beqiri nuk ka arritur të sigurojë lirimin nga paraburgimi në Francë, ndërsa autoritetet gjyqësore po shqyrtojnë kërkesën e Shqipërisë për ekstradimin e tij. Gjykata e Amiens ka vendosur që ai të vijojë të qëndrojë pas hekurave, në pritje të një vendimi përfundimtar nëse do t’u dorëzohet autoriteteve shqiptare. Beqiri, i cili kërkohet nga SPAK në lidhje me hetimet për abuzimet me tenderët e AKSHI-t, u paraqit para gjykatës franceze të premten, më 23 tetor. Sipas mediave franceze, biznesmeni kundërshton ekstradimin drejt Shqipërisë, duke pretenduar se çështja ndaj tij ka prapavijë politike.

Gjatë seancës, gjykata shqyrtoi dokumentacionin shtesë të dërguar nga autoritetet shqiptare, pas kërkesës së bërë në muajin gusht. Dokumentet përfshijnë garanci ligjore nga Ministria e Drejtësisë, Prokuroria e Posaçme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

Avokati i tij, Nicolas Paganelli, kundërshtoi vlefshmërinë e këtyre dokumenteve, duke i cilësuar të paplota dhe duke vënë në dyshim besueshmërinë e garancive të ofruara. “Janë drafte, nuk është punë serioze. Ju nuk jeni shërbimi i asistencës pas shitjes për garanci diplomatike të paplota”, deklaroi avokati.

Edhe vetë Beqiri hodhi akuza ndaj drejtësisë shqiptare, duke pretenduar se procedimi ndaj tij është politik. “Nëse kam korruptuar dikë, ai është shteti. Por nga kjo anë, askush nuk është në burg. Gjithsesi, këtu ka një problem. Kjo çështje është thjesht politike”, u shpreh biznesmeni.

Nga ana tjetër, Prokuroria e Përgjithshme në Amiens kërkoi miratimin e ekstradimit, duke argumentuar se gjykata franceze nuk ka për detyrë të vlerësojë funksionimin e sistemit gjyqësor shqiptar. Ermal Beqiri u arrestua fillimisht në Francë pasi fluturoi me avionin e tij privat në lartësi të ulët mbi centralin bërthamor Penly. Për këtë incident, ai u dënua me një gjobë prej 7 mijë eurosh, por mbeti në paraburgim për shkak të kërkesës së ekstradimit të paraqitur nga Shqipëria.

Autoritetet franceze i kanë sekuestruar gjithashtu pasuri të konsiderueshme, përfshirë një kështjellë të shekullit XVI pranë Parisit, llogari bankare me mbi 2.1 milionë euro, dy apartamente në jug të Francës, automjete, një jaht dhe një avion të lehtë. SPAK e kërkon biznesmenin në kuadër të hetimeve për tenderët e AKSHI-t, ku ndaj tij janë ngritur akuza për një sërë veprash penale, mes të cilave korrupsion aktiv, pastrim parash, shkelje të barazisë në tenderë, heqje të paligjshme të lirisë dhe përfshirje në grup të strukturuar kriminal.

Beqiri vijon të mbahet në burgun e Beauvais, ndërsa pritet vendimi i drejtësisë franceze për ekstradimin e tij në Shqipëri.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb