Partia Demokratike kërkoi ndryshimin e rendit të ditës së seancës plenare, duke kërkuar që në fokus të jetë situata e krijuar në Shërbimin Informativ Shtetëror pas masave të sigurisë ndaj drejtores së SHISH, Vlora Hyseni.

Kërkesa është hedhur poshtë me votat e mazhorancës.

Rezultati i votimit shkaktoi irritimin e demokratëve të cilët bllokuan foltoren dhe u ranë tavolinave.

Pas kakofonisë së krijuar, kreu i Kuvendit Niko Pelshi ka ndërprerë seancën.

“10 minuta pushim” ka deklaruar ai.
PD kërkoi heqjen nga rendi i ditës të dy interpelancave urgjente me ministrin e Mjedisit, Sofjan Jaupaj, dhe ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro.

Në vend të tyre, PD kërkon të shtohet një pikë me titull: “Kontroll dhe debat parlamentar me Kryeministrin Edi Rama lidhur me situatën e rëndë në Shërbimin Informativ Shtetëror.”

Në kërkesën e tij, kreu i grupit Gazment Bardhi shprehet se Kuvendi duhet t’i kërkojë Kryeministrit Edi Rama shpjegime mbi përzgjedhjen e Vlora Hysenit në krye të SHISH, si dhe mbi veprimtarinë e saj gjatë drejtimit të institucionit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb