Emisioni Vetting

Kallëzimi i Sefedin Shefës në fillim të vitit 2026, SPAK do t’ia delegonte Prokurorisë së Vlorës. Për 36 ditë kjo prokurori nuk do të kryente asnjë veprim përvec faktit që oficeri i policisë gjyqësore Altin Muçaj do të merrte në pyetje vetëm njëherë Shefën në 20 janar 2026.

Nga dokumentet zyrtare të Prokurorisë së Vlorës dhe korrespondencën me Avokatin e Popullit, ngjarja mund të përshkruhet si një proces zvarritjeje që përfundoi me një lëvizje të menjëhershme sapo çështja u bë publike.

Gjithçka nisi kur Prokuroria e Vlorës pranoi nga SPAK materialin kallëzues të Sefedin Shefës më datë 6 janar 2026, duke e regjistruar atë zyrtarisht më 7 janar 2026. Edhe pse dosja ndodhej në duart e tyre, dokumentet vërtetojnë se për më shumë se një muaj denoncuesi nuk mori asnjë përgjigje mbi çështjen, gjë që e detyroi Shefën t’i drejtohej Avokatit të Popullit.

“Prokuroria e Vlorës e rishqyrtoi çështjen dhe e shkeli ligjin me të dyja këmbët, sepse më mori në pyetje mua oficeri i Policisë Gjyqësore. Po mos të më kishte marrë, kishte lexuar dosjen e kallëzimit penal dhe e dërgonte”, tregon Shefa.

Më 12 shkurt 2026 do të ndodhte një paradoks që rrallë shihet në institucionin e drejtësisë. Brenda të njëjtës ditë, Prokuroria e Vlorës do ta informonte Sefedinin se e kishte regjistruar çështjen, por po në të njëjtin çast, firmosi edhe ‘internimin’ e dosjes.

Dokumentet konfirmojnë se çeshtja i ishte përcjellë aktet Prokurorisë së Fierit me argumentin se subjekti dhe vendi i krimit të pretenduar i përkasin asaj prokurorie, duke injoruar faktin që dosja ishte dërguar në Vlorë pikërisht për të shmangur konfliktin e interesit në Fier. Shkresat tregojnë se Prokuroria e Vlorës e mbajti dosjen “peng” për 36 ditë pa bërë asnjë veprim hetimor dhe sapo u vu nën presionin e Avokatit të Popullit, e hoqi çështjen nga duart duke e dërguar pikërisht te njerëzit e kallëzuar në Fier, duke mbyllur kështu rrugën e një hetimi të pavarur që kishte kërkuar SPAK.

Korrespondenca e mëvonshme e 2 prillit 2026 vërteton se Avokati i Popullit e konsideroi ankesën e qytetarit për mungesë informacioni si të bazuar, por sqaroi se nuk kishte kompetencë ligjore për të ndërhyrë në vendimin e prokurorisë për t’u shpallur moskompetente.

Vetting i bëri një kërkesë për informacion Prokurorisë së Përgjithshme për rastin e kompetencave midis Prokurorisë së Vlorës dhe Fierit për kallëzimin e Sefedin Shefës, por në dy kërkesa Prokuroria do të bënte një interpretim ligjor strikt, duke larë duart nga problemi i kompetencave midis prokurorive.

Prokuroria e Përgjithshme do të zgjidhte rrugën e teknikaliteteve ligjore, duke evituar një saktësim se kush duhet ta mbantë çështjen. Duke u bazuar në nenin 78 të Kodit të Procedurës Penale, Prokuroria e Përgjithshme argumentoi se për sa kohë magjistratët nuk kanë marrë zyrtarisht cilësinë e të pandehurit, kompetenca për hetimin e tyre mbetet në prokurorinë ku pretendohet se është kryer vepra, pra në Fier. Ky interpretim krijon një anomali sepse që dosja të largohet nga Fieri, duhet që prokurorët e Fierit të marrin të pandehur kolegët e tyre të zyrës.

Por si mund të bëhesh i pandehur, kur hetimin ta bëjnë kolegët e tu të zyrës? Kjo është pyetja që Prokuroria e Përgjithshme refuzoi ta ngrinte.

“Për mendimin tim, kjo çështje nuk duhet pranuar fare në Prokurorinë e Fierit dhe në Gjykatën e Fierit, për të vetmen arsye se personat që janë kallëzuar në këtë çështje janë në këtë prokurori dhe gjykatë”, deklaroi Shefa.

Ky interpretim krijon një pengesë thuajse të pakalueshme për Shefën. Kjo pasi delegimi nga Prokuroria e Vlorës ia lë në dorë Prokurorisë së Fierit detyrën për të vendosur nëse kolegët e tyre duhet të kthehen në të pandehur.

Në këtë rast po injorohet fakti që prokurori duhet të hetojë bashkëpunëtorët e tij të ngushtë me të cilët ndan zyrat çdo ditë. Më e pakta në këtë rast kemi konflikt në dukje të interesit pasi të kallëzuarit nuk mund të hetojnë vetëveten.

Prokuroria e Përgjithshme sqaron se ndonëse Prokuroria e Vlorës kishte detyrimin ligjor t’i pranonte aktet kur ato u dërguan nga SPAK, kjo nuk e pengonte Vlorën që pas regjistrimit të shpallte moskompetencën dhe t’i përcillte ato diku tjetër. Institucioni mënjanohet duke thënë se ata ndërhyjnë vetëm kur ka një mosmarrëveshje formale mes dy prokurorive, por meqë Vlora e nisi dosjen dhe Fieri e pranoi, nuk ekziston asnjë konflikt zyrtar që kërkon ndërhyrjen e Prokurorit të Përgjithshëm.

“Këtu lind pyetja, a ekziston ligjërisht dhe logjikisht një çështje e tillë që nga një prokurori e shkallës së parë të shpallë moskompetencë dhe ta dërgojë çështjen në prokurorinë e shkallës së parë tek personat që u është bërë kallëzim penal nga ana ime?

Përgjigjja ime është: është shkelur ligji për mua”, thotë me bindje Sefedin Shefa.

Prokuroria e Fierit ka vendosur mosfillimin e procedimit penal në 23 shkurt 2026 dhe në 10 prill 2026, Sefedin Shefa ka seancën gjyqësore për të kundërshtuar këtë vendim para gjyqtarit Noel Veizi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb