Segmenti i rrugës së Automotoparkut në Elbasan është shkatërruar.  Deputetja PD në Elbasan Klodiana Çapja ka denoncuar situatën duke cilësuar një skandal të rëndë, pasi janë bërë investime qindra miliona euro për Automotoparkun e  Elbasanit.

“Denoncoj publikisht një tjetër skandal të rëndë që lidhet me një investim qindra miliona eurosh, siç është Automotoparku i Elbasanit. Kjo nuk është amortizim normal, por provë e qartë e një skandali tjetër në infrastrukturë, që tregon hapur punime pa standarde, mungesë kontrolli dhe keqpërdorim të fondeve publike”, u shpreh ajo.

Gjithashtu ajo ka kërkuar që të bëhet një aludimit i menjëhershëm teknik dhe financuar.

“Qytetarët e Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë nuk meritojnë projekte fasadë që shemben pa u inauguruar siç duhet. Kërkoj auditim të menjëhershëm teknik dhe financiar, transparencë të plotë mbi kontratat dhe mbajtje përgjegjësie për çdo institucion dhe subjekt të përfshirë”, nënvizoi më tej Çapja.

Në reagimin e saj publik, deputetja demokrate e cilësoi situatën si një “provë të qartë të një skandali tjetër në infrastrukturë”, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për amortizim normal, por për, punime pa standarde, mungesë kontrolli dhe Keqpërdorim të fondeve publike.

“Qytetarët e Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë nuk meritojnë projekte fasadë që shemben pa u inauguruar siç duhet,” deklaroi Çapja, duke kërkuar auditim të menjëhershëm teknik dhe financiar, transparencë mbi kontratat dhe mbajtje përgjegjësie për institucionet dhe subjektet e përfshira.

Denoncimi i saj ngriti pikëpyetje serioze mbi cilësinë e punimeve dhe mbikëqyrjen e projektit, një investim që është promovuar si një nga projektet strategjike për zhvillimin ekonomik dhe sportiv të zonës.

Reagim i menjëhershëm: “Nuk ka lidhje me Automotoparkun”

Menjëherë pas deklaratave publike, ka ardhur reagimi zyrtar nga Bashkimi i Operatoreve Ekonomike Blerimi shpk dhe Rruga Ura Asfaltim Nr.2 Elbasan sh.a., përmes inxhinierit të kompanisë zbatuese.

Sipas tyre:

  • Objekti në fjalë nuk është Automotoparku, por rruga e aksesit që lidh automotoparkun me Ura e Lizës.
  • Bëhet fjalë për një aks të ri, ende në zbatim, brenda afateve kontraktuale.
  • Rruga nuk është vënë në shfrytëzim dhe nuk ka bllokim qarkullimi, pasi është e papërfunduar.

Sipas sqarimit teknik, rrëshqitja ka ndodhur në një pjesë të trupit të rrugës të vendosur në gërmim, zonë ku sipas projektit fillestar nuk ishte parashikuar masë mbrojtëse, pikërisht sepse segmenti është ende në proces ndërtimi.

“Kemi bërë konsultimet e nevojshme me inxhinierët e investitorit dhe të bashkisë dhe do të marrim masat për mbrojtjen dhe sistemimin e asaj pjese brenda afateve të kontratës,” – thuhet në reagimin zyrtar.

Përballje politike apo alarm për standardet?

Ndërsa opozita flet për një tjetër skandal me fonde publike, kompania zbatuese këmbëngul se kemi të bëjmë me një situatë teknike në një objekt ende të papërfunduar dhe jashtë përdorimit.

Tashmë mbetet për t’u parë nëse institucionet përgjegjëse do të nisin një auditim të thelluar, siç kërkohet nga deputetja Çapja, apo nëse çështja do të mbetet në kuadrin e një debati politik mbi një investim strategjik për qytetin e Elbasanit.

Një gjë është e sigurt; projekti i Automotoparkut dhe infrastruktura e tij shoqëruese janë futur në qendër të vëmendjes publike – dhe transparenca do të jetë kyçe për të shmangur hijet e dyshimit mbi një investim me peshë kombëtare.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb