Zbardhen detaje të reja nga shpallja në kërkim policor të administatorit të “Bana King”, Trifon Murataj, prej kësaj të hëne, 24 shkurt. BalkanWeb mëson se uniformat blu kërkojnë ta prangosin për një incident të rëndë që ka ndodhur në ambientet e kompanisë së tij “Bana King”, në Durrës. Një punonjës i kësaj kompanie, A.G, 48 vjeç është dëmtuar rëndë teksa po hapte arkat e bananeve në kontenier. Mësohet se ai ka goditur njërin sy me bisturi dhe si rrjedhojë ka humbur shikimin.

Ngjarja ka ndodhur në datën 19 shkurt. Për 5 ditë me radhë kompania ka mbajtur të fshehtë incidentin.  Në deklaratën para policisë, drejtuesit e kompanisë kanë bërë të ditur se “punonjësi nuk ka njoftuar” dhe se “ishte larguar me një koleg në klinikë private”. Por klinika nuk ka pranuar ta trajtojë 48-vjeçarin i cili më pas i është drejtuar spitalit shtetëror të Durrësit ku edhe më pas është njoftuar policia për ngjarjen, duke nisur më pas hetimet për rrethanat.

Edhe pse është dërguar me urgjencë në spital, punëtori e ka humbur shikimin, ndërkohë që kompania ka marrë gjobë të lartë nga Inspektorati i Punës, për shkak se ishte punësuar pa dokumentin përkatës.

Sot ka reaguar policia, e cila ka konfirmuar ngjarjen dhe bën me dije se ka shpallur në kërkim kreun e kompanisë “Zico”, Trifon Murataj. Kompania “Zico” është dhe ajo që eksporton bananet “Bana King”.

  • foto galeri

Reagimi i Policisë: 

Në lidhje me një lajm të publikuar në media, për dëmtimin e një shtetasi në vendin e punës, bëjmë me dije se:

Më datë 18.02.2025, shtetasi A. G., 48 vjeç, banues në Durrës, punonjës i një kompanie që operon në portin e Durrësit, është dëmtuar aksidentalisht në sy, gjatë punës.

Për këtë rast, ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, grupi hetimor, i cili ka kryer veprimet e para për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e shtetasve përgjegjës.

Materialet procedurale për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës i kanë referuar në Prokurorinë e Durrësit, më datë 18.02.2025.

Në vijim të veprimeve, më datë 18.02.2025, është shpallur në kërkim shtetasi T. M., 56 vjeç, banues në Tiranë, administratori i kompanisë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

Vijon puna për kapjen e tij.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb