Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku nga Kuvendi akuzoi sot qeverinë për menaxhim të dështuar të sistemit dixhital të AKSHI-t, duke e cilësuar atë si një “skemë financiare dhe kriminale”.

Në fjalën e saj Tabaku tha se sistemi dixhital, i promovuar nga qeveria si një projekt modernizimi, ka rezultuar një dështim i plotë. “Ajo që u nis si shteti dixhital sot është demaskuar si një skemë financiare, gllabëruese, por edhe kriminale,” deklaroi ajo.

“Milionat e eurove nuk janë përdorur për modernizimin e sistemeve, por për të ushqyer një skemë kriminale. Vetëm vitin e fundit, AKSHI mori 200 milionë euro, ndërsa në katër vite u shpenzuan gjysmë miliard euro nga taksat e shqiptarëve,” tha Tabaku.

Deputetja theksoi gjithashtu se për të realizuar këtë skemë u detyruan ministritë, agjencitë dhe madje bankat të bashkëpunonin për të vendosur gjithçka nën kontrollin e Ergys Agasit.

Sipas saj, rreziku i këtij menaxhimi të keq është i lartë, pasi sistemi dixhital, që synonte të modernizonte administratën, është i paaftë dhe ka shërbyer vetëm për interesa të ngushta politike dhe financiare.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb