Zbardhet dëshmia e drejtoreshës së Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karaçnaj. Ndaj kësaj të fundit GJKKO caktoi masën “arrest shtëpie”. Duke iu referuar dosjes së SPAK, Karçanaj është filmuar me zë dhe figurë nga Ergys Agasi, në zyrën e këtij të fundit, ku së bashku me biznesmenin Ermal Beqiri bënin pazaret. Ajo madje në dëshminë esaj ka pohuar takimet me Agasin. “Raport miqësor nuk kam me asnjë por për t’i njohur i njoh të gjithë pasi janë pak dhe janë ekspertë të fushës. As nuk pi kafe dhe as nuk rri apo të shoqërohem me ndonjë operator ekonomik jashtë zyre. Ka patur një rast ku kam takuar një operator ekonomik të cilin e kam takuar rastësisht në zyrën e një të njohurit tim, të cilin e kisha takuar për një kafe në zyrën e tij, për shkak të një konsulence private, konkretisht në zyrën e shtetasit Ergys Agasi, me të cilin kam njohje të vjetra, të cilin e kam takuar disa herë në zyrën e tij, për çështje private.

Ergysi do të bënte një partneritet që donte të bënte me një kompani izraelite, dhe më pyeti për një zgjedhje teknike. Në këtë ambient ka qenë dhe shtetasi Ermal Beqiri, i cili rezultoi në mënyrë rastësore prezent në këtë takim. Me shtetasin Ermal Beqiri mund të jem takuar vetëm një herë jashtë zyre në një ambient privat por jemi takuar në ambientet e AKSHI si me çdo drejtues të kompanive private, për të mirëmenaxhuar implementimin projekteve shtetërore.

Me shtetasin Ergys Agasi, mund të jem takuar disa herë në zyrën e tij, për shkak të raportit miqësor që ne kemi. Po kështu, deklaroj faktin se lidhur me njohjen time me shtetasin Ermal Beqiri, kam qenë gjithashtu në një udhëtim të përbashkët me shumë përfaqësues të tjerë të shoqërive të teknologjisë dhe informacionit, të cilat kanë krijuar një organizatë jofitimprurëse së bashku dhe gjatë kohës së fushatës, u kërkua nga kryeministri, që të shkohej në Greqi dhe t’u kërkohej emigrantëve që të ktheheshin në atdhe, me qëllim për t’u punësuar në institucione të ndryshme dhe institucionin tonë. Në këtë eveniment në Greqi kanë qenë të gjithë operatorët ekonomikë, pjesë të shoqatës “Akti”, në të cilën edhe prezenca e kompanive në panairin e punësimit është kërkuar nga zëvendëskryeministrja në bllokun e ekonomisë…”, thuhet në dëshminë e saj.

Ndër të tjera drejtoresha e AKSHI-t ëhtë pyetur dhe për procedurat e prokurimit. “Në rastin kur sipas ligjit për qeverisjen elektronike, vijnë kërkesa nga institucione të ndryshme, ato diskutohen paraprakisht me AKSHI dhe në rast se vlerësohet nevoja, ne ndjekim të gjithë procedurën e prokurimit, si hartimin e termave të referencës e të gjithë pjesën tjetër të procedurës, sipas parashikimeve ligjore në fuqi. Në rast se buxheti miratohet, ne i drejtohemi institucioneve përgjegjëse për krijimin e grupeve të punës pasi na duhen përfaqësues të këtyre institucioneve, pasi është e nevojshme për shkak të problematikave ose nevojave që kanë këto institucione, gjithmonë në varësi të tipologjisë së nevojave apo procedurës konkrete që do të prokurohet. Termat e referencës dakordësohen nga grupet e punës, përveç se mbledhjeve të drejtorisë së projekteve që bën mbledhje në mënyrë të vazhdueshme. Ndërhyrja ime në termat e referencës gjithnjë ka karakter teknik, lidhur me platformën e ndërveprimit. Projektet ndiqen edhe nga ne dhe nga ana e institucioneve kërkuese, me qëllim garantimin e integritetit dhe mirëfunksionimit të të gjithë sistemeve që do të prokurohen. Në përvojën time 12 vjeçare, nuk kam ndërhyrë ndonjëherë në hartimin apo modifikimin e kritereve“, ka deklaruar ajo.

Mes të tjerash ajo ka pohuar në SPAK se; “Me thënë të drejtën në 12 vite punë, nuk jam marrë ndonjëherë me operatorët ekonomikë. Sipas argumentimit të kësaj memo, CSP fitohet ngushtësisht e lidhur me vendin e punës që kishte AKSHI. Në rastin konkret, shoqëria ABS, kishte CSP të pajisura vetëm për vendin e punës në Kuvend dhe vetëm për këtë ambient dhe për rrjedhojë nuk do të mund të kualifikohej dhe as të lejohej të hynte në data-center. Nuk di t’ju them lidhur me vendimmarrjen e KVO-së pasi ata kanë bërë punën е tyre sipas përcaktimeve ligjore. Memo në fjalë, është konsultuar me zëvendësdrejtoreshën dhe mе mua, sepse siguria e data-center është primare dhe unë i kam qëndruar këtij arsyetimi pasi nëse do lidhnim kontratën me operatorin në fjalë, ai do të ishte i paaftë ti përgjigjej kërkesave të kontratës së lidhur. Madje mund t’ju them se është bërë një problem i madh nga ky operator ekonomik pasi ka pezulluar punën e të gjithë institucioneve shqiptare, nëpërmjet ankesave që ka bërë për shumë procedura prokurimi dhe jo vetëm në AKSHI, fakt për të cilin kam rënë në dijeni, edhe nëpërmjet informacionit që është publik në faqen e KPP-së.”.
Përsa i përket lidhjes shoqërore mes shtetasve Ermal Beqiri dhe Ergys Agasi ajo deklaroi se nuk ishte në dijeni të raportit që ata kanë midis tyre.
Gjithashtu, Mirlinda Karçanaj u pyet edhe për faktin nëse në bisedën e zhvilluar midis saj dhe shtetasit Ergys Agasi, a kuptoi që dhe shtetasi Ermal Beqiri do të ishte pjesë e këtij projekti, pyetje së cilës ajo ju përgjigj duke deklaruar se: “Jo, ai qëlloi thjesht aty dhe nuk mu duk sikur ai ishte pjesë e këtij projekti…”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb