TIRANE– Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, në një konferencë për shtyp sqaroi sot biznesin e vogël për skemën e TVSH-së, një përpjekje kjo siç e quajti, për të hedhur poshtë të gjitha gënjeshtrat e opozitës.
Sipas ministrit, ata që sot në Shqipëri kanë një biznes të vogël duhet të rrinë të qetë, pasi që nga 1 Prilli nuk ka rritje të çmimit. Ai publikoi edhe një vendim të qeverisë Berisha të vitit 2009, i cili parashikonte uljen e pragut të deklarimit të TVSH nga 8 milion në 5.
“Ju ftoj të jepni një çmim të rritur në dyqanet e lagjeve apo në supermarketet e mëdha që nga 1 prilli. Ajo që kemi thënë, që s’ka rritje çmimesh është fakt, do jetë fakt në vazhdimësi. Përkundrazi inflacioni do të lëvizë në nivelet midis 1.2 dhe 2,4 % brenda parametrave që kemi parashikuar”,- tha ai në nisje.
“Do bëj kronologji për të treguar me gisht gënjeshtratët, një grup i vogël biznesësh, se shqiptarët nuk janë budallenj. Kam një vendim të Këshillit të Ministrave të datës 29.09.2009 të bërë nga Berisha të firmosur nga Bode, ky vendim ka ulur pragun nga 8 në 5. Nuk po e komentoj nëse ka qënë e duhur apo jo. Vendimi i qeverisë është bërë nga ata që sot bëjnë sikur qajnë për biznesin e vogël. Numri i sipërmarrjeve që do të detyrohen të deklarojnë nga 2 deri në 5 milion është 9900 sipërmarrje të vogla, nën 2 milion janë 60 mijë sipërmarrje të vogla. Ftohen në bazë të vetëdeklarimit”,- tha ai më tej.
Ministri tha më tej se, biznesi i vogël me xhiro mbi 2 milionë lekë të reja, deri në 5 milionë lekë do t’i nënshtrohet detyrimit për deklarim të TVSH. Por, nuk ka rritje çmimesh, nuk ka rritje kostosh.
“Iniciativa e kryeministrit për të bërë taksën e biznesit të vogël zero ka dhënë frytet e sja ka krijuar biznese të reja të vogla. Cili është qëllimi? Çfarë qëllimi ka qeveria që e ul pragun nga 5 në 2? Nuk synohet që biznesi i vogël të jetë gjenerator i të ardhurave të TVSH. Ka 5 vite që opozita flet për skenar grek, por sot jemi një nga vendet me rritjen më të lartë në rajon. Qëllimi është të fokusohemi tek biznesi i madh, të mbledhim më shumë TVSH nga biznesi i madh, nuk është qëllimi të fokusohemi tek biznesi i vogël, ai vazhdon të ketë kontribut modest”,- sqaroi Ahmetaj.
Ministri i Financave tha se ulja e pragut të deklarimit është pjesë e praktikës ndërkombëtare. Ai tha se opozita gënjen kur thotë se do të rriten çmimet, apo do të rritet TVSh.
“Ajo që ne jemi dukë bërë është pjesë e praktikës ndërkombëtare, madje vende shumë më të zhvilluara e kanë pragun edhe më të ulët tek ne. Logjika nuk është për t’u fokusuar tek biznesi i vogël, por tek biznesi i madh, dhe të kemi në fokus transaksionet e biznesit të vogël. Thelbi i punës sonë është biznesi i madh, dhe bizneset që fshihen të vogla, por janë më të mëdha nga sa deklarohen. Gënjejnë kur thonë që do të rriten kostot. Kemi pyetur zyrtarisht, kemi bërë sondazhe në të gjithë Shqipërinë, dhe të gjitha shpenzimet që mund të bëhen dhe janë modeste, rreth 15 mijë lekë në vit janë të zbritshme. Jemi bërë një hap antiinformalitet në funksion të kontrollit më të mirë të biznesit të madh.
Gënjejnë kur thonë që rritet TVSh. Por TVSh është pjesë e çmimit përfundimtar të çdo malli apo shërbimi të formalizuar. Për çdo produkt, 20 % e çmimi është e TVSH. Kështu ka qenë. Ndërsa tani biznesi i vogël tani vetëm ftohet të deklarojë.
Gënjejnë kur thonë do rriten çmimet. Fakti sot i ka nxjerrë zbuluar, pasi nuk ka rritje çmimi të produkteve nga 1 prilli. 20 % i TVSh ka qenë gjithmonë dhe e ka paguar konsumatori.
Nuk do të ketë gjoba për deklarim të gabuar. Është e qartë se do të jetë një deklarim i thjeshtë me mbushje të katër kutive të deklaratës, ashtu siç bëjnë çdo muaj deklarimin për sigurimet shoqërore”, u shpreh ministri.
Sakaq, ai u ka dërguar një mesazh bzines të vogël të cilët kanë paralajmëruar protestë paraditen e sotme duke mbyllur qepenat për një orë.
“Secili është i lirë të hapë apo mbyllë qepenat, pro vazhdoni të bëni punë tuaj për veten dhe familjen. Mos u bëni pre e politikës së tyre. Mos harroni që ju kanë gjobitur, ju kanë ngarkuar me 1.5 % të xhiros, dhe 10 % taksën e sheshtë. Ndërsa kjo qeveri është kujdesur për lehtësimin e barrës fiskale. Kjo qeveri ju hoqi taksën e sheshtë. Dje opozita ju premtoi se do t’u kthente 10 përqindëshin, dhe ju e dini se kjo taksë ju rrënoi të gjithë juve”, u shpreh ministri Ahmetaj.
(m.a/el.sp/BalkanWeb)
