Opozita zhvillon nesër protestën e shtatë kombëtare me kërkesë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë.
Tubimi pritet të nisë në orën 19:00 para Kryeministrisë. Organizatorët e protestës kanë njoftuar Policinë e Shtetit për orarin e fillimit 19:00 dhe mbarimit të protestës në 22:00.
BalkanWeb mëson se në protestën e nesërme, do të rikthehen fjalimet nga drejtues të PD, përfaqësues të forumit rinor, partive aleate dhe aktivistë.
Gjatë protestave të fundit mungoi podiumi i protestës, ndërsa skenari u fokusua te marshimi dhe hedhja e molotovëve e fishekzjarreve drejt institucioneve qeveritare.
Megjithatë, nuk përjashtohet që protesta e të premtes të marrë edhe zhvillime të tjera gjatë mbrëmjes.
Një tjetër skenar i mundshëm mbetet marshimi i protestuesve në akse të ndryshme të kryeqytetit, në varësi të dinamikës së tubimit dhe orientimit nga organizatorët.
Ndërkohë, Policia e Shtetit ka marrë masa për mbarëvajtjen e rendit dhe sigurisë. Në protestat e kaluara ka patur të angazhuar në terren mbi 1 mijë forca policore.
Opozita kërkon dorëheqjen e qeverisë dhe të kryeministrti Edi Rama pasi ish-zëvendësja e tij, Belinda Balluku rezultoi e përfshirë në afera korruptive, ndërsa SPAK kërkoi edhe arrestimin e saj, por kërkesa u hodh poshtë me forcën e kartonëve nga mazhoranca.
