Donald Trump nuk ka hequr dorë nga kritikat e tij të ashpra ndaj Iranit. Së fundmi Trump ka thënë se nëse Teherani nuk pranon një sërë kërkesash të vendosura nga qeveria amerikane, së shpejti mund ketë një sulm kundër tij.

Kërcënimi i Trump për një sulm të dytë nga forcat amerikane kundër Iranit në tetë muaj erdhi ndërsa aeroplanmbajtësja Abraham Lincoln, së bashku me anije të tjera luftarake, bombarduese dhe avionë luftarakë, zunë pozicione në rajon në distancë goditjeje nga vendi.

Megjithatë Presidenti amerikan nuk dha detaje rreth marrëveshjes që kërkonte, por vetëm ripërsërit se një “armatë masive” po shkonte drejt Iranit dhe se vendi duhet të bënte një marrëveshje.

Megjithatë, zyrtarët amerikanë dhe evropianë thonë, sipas Neë York Times ata kanë bërë tre kërkesa ndaj iranianëve në bisedime:

– ndërprerje e përhershme e të gjitha llojeve të pasurimit të uraniumit dhe asgjësimi i rezervave ekzistuese,

– kufizimi i rrezes dhe numrit të raketave balistike

– dhe ndërprerjen e çdo mbështetjeje për grupet që veprojnë si “satelitë” të Iranit në Lindjen e Mesme, përfshirë Hamasin , Hezbollahun dhe Huthitët që veprojnë në Jemen.

Gazeta amerikane vëren, se mungon një tezë për mbrojtjen e protestuesve që mbushën sheshet në Iran në dhjetor, edhe pse Trump kishte premtuar më herët se do t’i ndihmonte ata.

Analiza e kërkesave amerikane

Sipas raportit, “ kërkesa e parë , që Irani të braktisë të gjitha aktivitetet e pasurimit dhe rezervat aktuale të uraniumit të pasuruar, do të ishte e vështirë të verifikohej.

Në marrëveshjen bërthamore që Irani arriti me administratën Obama në vitin 2015, Irani hoqi dorë nga rreth 97% e rezervave të tij të uraniumit, të cilat u zhvendosën jashtë vendit.

Objektet kryesore të pasurimit në Natanz dhe Fordoë u dëmtuan rëndë qershorin e kaluar dhe nuk ka gjasa të rihapen.

Megjithatë është e mundur të pasurohet uraniumi duke rritur pastërtinë e tij në objekte të vogla, lehtësisht të fshehura.

Nëse Irani do të mund të kishte qasje në uraniumin e pasuruar tashmë në pastërti 60% – pak nën nivelin e nevojshëm për të bërë një bombë që u varros gjatë sulmeve, ai mund të prodhonte karburant të mjaftueshëm për një grusht armësh.

Deri më tani, sipas zyrtarëve të inteligjencës amerikane dhe evropiane, nuk ka prova se Irani ka pasur qasje në këtë karburant, të cilin e kishte varrosur thellë për arsye sigurie. Kërkesa

Nga ana tjetër për të kufizuar rrezen dhe numrin e raketave balistike do ta bënte pothuajse të pamundur që Irani të godiste tokën izraelite. Këto raketa janë pengesa e fundit në arsenalin e Iranit kundër një sulmi të ri nga Izraeli.

Një sulm i tillë nuk duket i afërt, por kryeministri Benjamin Netanyahu ka kërcënuar me sulme të reja nëse Irani riarmatoset.

Kërkesa e tretë, e cila ka të bëjë me ndërprerjen e mbështetjes për forcat që veprojnë si satelitë iranianë, është ndoshta më e lehtë për Teheranin që ta përmbushë.

Ekonomia e Iranit është dobësuar shumë, monedha e tij ka rënë në nivele të reja dhe qeveria ka pak për të shpenzuar për ish-aleatët e saj, të cilët po vuajnë nga sulmet intensive izraelite.

Shembulli i Venezuelës

Sipas NYT, “Trump është i inkurajuar nga suksesi në Venezuelë dhe ka përdorur qartë kërcënimin e një taktike të ngjashme “prerjeje kokash” kundër regjimit iranian në një përpjekje për të frikësuar udhëheqjen e vendit dhe Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike”.

Sipas Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio duke folur para ligjvënësve amerikanë, grumbullimi i forcave rreth Iranit është kryesisht mbrojtës, sepse dhjetëra mijëra trupa amerikane në rajon ishin “brenda rrezes së dronëve dhe raketave balistike iraniane”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb