Në shtypin shqiptar dhe atë ndërkombëtar vazhdon të përcillet me jehonë të madhe, me shumë debate, pohime dhe vlerësime politike, diplomatike dhe publike Samiti historik i zhvilluar më 18 Gusht në Shtëpinë e Bardhë. Mikpritësi i tij, Presidenti Donald Trump zhvilloi një maratonë të vërtetë bisedimesh me Presidentin ukrainas Zelenski dhe shtatë krerët e BE-së dhe NATO-s.

Me këtë rast ka patur dhe ka dhe komente negative të egzagjeruara si “Presidenti Trump i vuri në rresht europianët“! Të tjerë, ngrejnë në qiell njerën palë dhe ulin palën tjetë, duke thënë se “Europa u tregua e dobët, hipokrite, servile dhe e nënshtruar.”

Mirëpo, kur Samitin e Uashingtonit e analizon nga këndvështrimi protokollar dhe sidomos i Realpolitikës, del qartë se në komente të tilla ka fare pak të vërteta; ca më keq akoma, në to mbizotëron fryma partiake, e njëanshme, paragjykuese, me analiza vetëm “bardh e zi”.

Me avantazhin që më jep përvoja e gjatë në diplomacinë aktive profesioniste brenda dhe jashtë vendit, mund ta pohoj qysh në fillim se skenografia, paraqitja dhe performanca e lidershipit më të lartë europian në Shtëpinë e Bardhë më 18 Gusht ishte efektive, e suksesshme, dinjitoze, në solidaritet me Kievin dhe Presidentin Zelenski si dhe synimet e tyre madhroe për paqe të vӕrtetë dhe të qëndrueshme në Ukrainë. Këtë e pohojnë dhe shumica dërmuese e analistëve dhe politologëve në Europë dhe në Amerikë.

Kjo paraqitje me një skenografi të suksesshme shpjegohet me disa fakte dhe faktorë politikë dhe diplomatikë. Së pari, ajo i dedikohet përvojës së gjatë diplomatike të liderëve europianë, me përjashtim të Starmerit britanik, i cili ka vetëm një vit si Kryeministër por me bilanc të pasur gjeopolitik.

Gjithsesi, në rastin konkret meritën kryesore e ka koreografia e shkëlqyer diplomatike e përgatitur nga ekipi më i lartë europian, me kujdes dhe vëmëndje maksimale deri në detajet më të vogla. Si ata dhe Presidenti Zelenski kishin nxjerrë mësimet e duhura nga pësimet e kaluara; ndërkohë, gjatë muajve të fundit, të shtatë liderët europianë pa përjashtim kishin kaluar me sukses “ provat gjenerale” me Presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë, në kryeqytetet e tyre dhe së fundi në Samitin e NATO-s në Hagë më 24/25 Qershor 2025.

Veç sa sipër, përpara se të fluturonin në Uashington, ata kishin zhvilluar konsultime me njeri tjetrin dhe me ekspertët përkatës deri dhe te gjuha e trupit, si dhe videokonferencën me Trump më 13 Gusht.

Në vijim, suksesin në fjalë e garantonte përbërja partiake pluraliste e tyre. Ndonëse ata u përkasin partive laburiste, liberale, kristian-demokrate dhe neofashiste, të dukej sikur i takonin një partie të vetme. Një episod brilant ky i kohezionit dhe unitetit të Europës në një prej momenteve më sfiduese për të. Tejet domethënës ishte dhe përfaqësimi i tyre; aty ishin Ursula von der Leyen, Presidentja e rizgjedhur e Komisionit Europian, e cila sapo kishte nënshkruar paqësisht me mikpritësin e Samitit Marrëveshjen për tarifat doganore me SHBA; Mark Rutte, Sekretari i ri i Përgjithshëm i NATO-s, ish kryeministër për 13 vite rresht i Holandës, bashkëthemeluese e Aleancës; ai njihet dhe si “pëshpëritësi në vesh“ i Trumpit, “skenografi“ dhe organizatori i Samitit të Hagës me vendimet tashmë të njohura historike.

Njeriu që u kujdes vetë për çdo detaj në atë Samit, duke i rezervuar Presidentit Trump një mikpritje dhe trajtim mbretëror të pashembullt, të cilën ai e vlerësoi në maksimum me fjalët më të ngrohta. Aty ishin Starmer, Macron, Merz dhe Meloni, liderët e katër ish fuqive të mëdha botërore, dy prej të cilave janë anëtare të përhershme të KS të OKB-së. Bashkë me ta Presidenti i një vendi të vogël si Finlanda, Alexander Stubb, por shumë i pëlqyer nga Trump, dhe si lojtar golfi; ca më tepër, si vend fqinj me Rusinë që e kupton dhe e shpjegon më mirë e më bindshëm situatën e rrezikshme në rajon.

Faktor tjetër për suksesin europian dhe të Samitit në përgjithësi ishte qëndrimi i pozitiv i liderëve europianë pas fiaskos së Samitit të Alaskës Trump-Putin, për të cilën ata gjithsesi vlerësuan përpjekjet e Trumpit; por, nga ana tjetër, Alaska ishte për ta kambanë e vërtetë alarmi; ndaj, me finesën e njohur diplomatike europiane, me frymë pozitive dhe vlerësuese ata kërkuan që më 18 Gusht të ishin të pranishëm në takimin Trump – Zelenski. Pra, nuk është se “i vuri Trump në rresht“ liderët europianë, por ata i kërkuan atij dhe ky i fundit ishte tejet i interesuar t‘i kishte ata në krah; madje “të shtrëngonte rradhët“ me europianët, çka natyrisht u pa me sy të mirë dhe në SHBA, duke hequr disi shijen e hidhur që la Anchorage.

Pjesë tejet e rëndësishme e asaj koreografie ishte dhe ndarja e roleve që do të luante secili lider europian. Në mënyrë që të shmangej kakofonia politike, që të mos kërkonin të gjithë të njëjtën gjë, çka mund të bëhej e bezdisshme për mikpritësin, duke prishur atmosferën dhe për pasojë dhe vetë Samitin me pasoja të paparashikueshme. Kështu, Kancelari gjerman Merz, i mbështetur nga Presidenti Macron u ndal me theks të veçantë te realizimi i armëpushimit, si kusht i domosdoshëm për paqe të qëndrueshme. Rivendosja në axhendë e armëpushimit ishte arritje e shënuar e atij Samiti, edhe pse puna, pengesat dhe përpjekjet vijojnë më tej. Mark Rutte, Meloni dhe Starmer qëndruan më fort te garancitë e sigurimit, që ato të jenë të ngjashme me Nenin 5 të mbrojtjes kolektive të NATO-s. Idenë e tyre e përforcoi Presidenti Stubb, duke përmendur përvojën e hidhur finlandeze gjatë Luftës së II Botërore por dhe mbas vitit 1945 me Rusinë, duke u detyruar të bënte shumë lëshime territoriale; dhe prapë Helsinki dy vitet e fundit hoqi dorë nga neutraliteti në favor të anëtarësimit në NATO-s për shkak të kërcënimit rus. Rifutja në rend të ditës e kësaj teme jetike për paqen në Ukrainë ishte komponenti i dytë themelor i suksesit të Uashingtonit.
Ndërkohë, Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, veç të tjerash nënë e 7 fëmijve dhe gjyshe e shumë nipërve dhe mbesave ashtu si dhe Presidenti Trump dha alarmin me nota të qeta por bindëse lidhur me fatin e mijra fëmijve ukrainas në Rusi, në mbështetje të Letrës së Melania, bashkëshortes së Presidentit Trump për Putinin dhe Letrës së Zonjës së Parë ukrainase për Melania Trump. Aq prekës rezultoi ky gjest kuptimplotë, sa Presidenti Trump ndërpreu takimin për t’i telefonuar Putinit.

Po aq shumë u prek Presidenti Trump dhe nga dhurata e veçantë e Zelenskit, një shkop golfi, dhuratë nga një sportist ukrainas i plagosur në luftë. Në përgjigje, Trump i dërgoi atij një mesazh emocionues.
Vetë Zelenski, këtë radhë i “përforcuar në mbrojtje“ nga 7 liderët kryesorë europianë kishte venë mend nga incidenti i muajit shkurt në Shtëpinë e Bardhë. Duke filluar nga veshja me kostum dhe pse pa kollaro që Trump e vlerësoi, dhurata simbolike dhe fakti që brenda 10 sekondave të para lavdëroi 4 herë rresht mbështetjen amerikane dhe Presidentin Trump.

Kështu, ai e plotësoi më së miri skenografinë mjeshtërore europiane në atë Samit historik.
Pjesë përbërëse e atij suksesi ishte dhe fjalori i zgjedhur i liderëve europianë, që t’i përshtatej siç duhej zhargonit politik të Trumpit; duke shmangur fjalë dhe koncepte që mund ta bezdisnin apo irritonin atë; kështu, ata nuk përmendën fjalën “ sanksione” por folën “për tatime doganore“ në vend të fjalës “lëshim/dorëzim territori“ përdorën “shkëmbime territori“, etj.

Përfundimisht, falë kësaj koreografie të përkryer diplomatike, shtatëshja europiane bashkë me Presidentin Zelenski ia doli mbanë ta shkëpuste Trumpin, qoftë dhe përkohësisht nga “ kthetrat” putiniane, duke e mbajtur atë sa më gjatë në bordin Euro-Atlantik. Edhe pse nuk dihet për sa kohë, mbasi problemet po dalin sërish në sipërfaqe, çka kërkon skenarë dhe koreografi të reja, të cilat, krahas diplomacisë europiane “shik“ duhet të jenë “të veshura“ me përmbajtje të vërtetë thelbësore gjeopolitike dhe të mbështeten sa më shpejt dhe me forcën e duhur ushtarake. Ndaj Europa muajt e fundit e në vazhdim është mobilizuar si asnjëherë më parë në të gjitha frontet me synimin e saj madhor për t’u kthyer në një Fuqi dhe Bashkim të Madh Ushtarak dhe Mbrojtës, çka kërkon kohën e vet.

Në këtë kuptim, dhe në mungesë të alternativave, mjeteve dhe mënyrave të tjera, performanca diplomatike europiane më 18 Gusht në Uashington ishte mishërimi i një modeli të kombinuar të diplomacisë klasike, diplomacisë së ecejakeve ( shuttle diplomacy) dhe asaj të korridoreve me diplomacinë e sharmit dhe “fuqisë së butë“, ku Europa shquhet prej shekujsh.

E fundit, por dhe më e rëndësishmja, nuk ka dyshim se suksesi europian më 18 Gusht në Uashington nuk do të ishte i garantuar pa rolin e qenësishëm dhe sjelljen pro-europiane të Presidentit Trump, si mikpritës i Samitit më të madh të Euro-Atlantik të zhvilluar ndonjëhërë në Shtëpinë e Bardhë. Tejet pozitiv, i qeshur, me respekt, humor dhe lëvdata për të gjithë mysafirët e lartë europianë, me interes për një ujdi sa më të shpejtë dhe në bashkëpunim me europianët. Duket se Trump më në fund e ka kuptuar sugjerimin e mençur të Gjeneralit Ben Hodges, ish Komandanti amerikan i NATO-s për Europën në vitet 2014 – 2017 se sado e fortë, Amerika nuk bën dot pa aleatë dhe aleatët e saj më besnikë dhe tradicionalë janë europianët. Mbetet për t’u parë se sa konseguent do të tregoet Presidenti Trump, që shquhet për paparashikueshmëri dhe paqëndrueshmëri në të tilla raste.

Sa për ata që qortojnë liderët europianë se u treguan servilë, përkëdhelës dhe të nënshtruar, le të rikujtojmë se liderët europianë dhe më parë e sidomos kur shkuan në Uashington ishin të bindur se pa “Pax Amerikana“, pa mbështetjen vendimtare të Presidentit Trump dhe SHBA-të në të gjitha fushat dhe mbi të gjitha në atë ushtarake, Europa e ka të pamundur të përballojë kërcënimin rus, si dhe të krijojë garancitë e duhura të sigurimit për paqe të qëndrueshme në Ukrainë dhe në krejt Europën. Këtë Europa e ka ditur dhe e ka pranuar si realitet dhe si aleate e SHBA-ve qysh me krijimin e NATO-s më 1949 dhe të BE-së më 1958. Madje, pikërisht nisur nga ky besim absolut, ashtu si dhe SHBA-të, BE-ja ka bërë disa gabime me pasoja të rënda gjeopolitike dhe këto 20 vitet e fundit; ato janë analizuar hollësisht në shkrime të mëparshme dhe Europa tani po nxjerr mësimet e duhura.

Është fakt i pamohueshëm se ashtu si e ka përshkruar dekada më parë Jean Monnet, një ndër baballarët e saj më të mëdhenj: “Europa forcohet nëpërmjet krizave dhe si shumatore e alternativave për kapërcimin e tyre”. Paraqitja dinjitoze europiane në Uashington më 18 Gusht e përforcon më tej këtë fakt fatlum historik.

Në mbyllje të këtij shkrimi, nuk mund të mos shprehim habinë për “memecllëkun“ e treguar nga qeveria, shumica parlamentare dhe diplomacia jonë në të gjitha nivelet lidhur me Samitin e Alaskës dhe të Uashingtonit. Një heshtje e tillë ndoshta unikale, e pashpjegueshme dhe e pajustifikueshme, kur ne nuk kemi lënë hall dhe telash të botës pa u prononcuar, madje dhe duke dhënë mend e jo më për këto dy samite historike, me ndikime të pritshme dhe në rajonin dhe vendin tonë.

Sido të ishte puna, mund dhe duhej të ishte bërë një prononcim modest me frymë pozitive, duke vlerësuar përpjekjet dhe ndihmesën madhore amerikane, të Presidentit Trump dhe të BE-së për këto dy samite, për paqen në Ukrainw dhe kontributi ynë i njohur dhe modest në këtë fushë. Ca më tepër se vend anëtar i NATO-s dhe aspirant për në BE. Gjithsesi, ka ende kohë për të shprehur qëndrimin tonë zyrtar.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb