Kupa e Botës në ski alpine ka zhvilluar dje etapën e radhës, këtë herë në Flachau të Austrisë, atje ku konkurrentet matën forcat në disiplinën e sllallomit.
Në garë mori pjesë edhe skiatorja e Shqipërisë, Lara Kolturi, e cila provoi edhe një herë tjetër në disiplinën e saj të preferuar. Me objektiv për një tjetër podium sezonal, Lara nuk ia doli, ndërsa pagoi shtrenjtë rezultatin e dobët në zbritjen e parë, ndërkohë që në zbritjen e dytë i mahniti të gjithë me një provë fenomenale. Megjithatë, edhe pse zuri vendin e parë në lëshimin e dytë, Lara e mbyll garën në vendin e tetë, pasi në zbritjen e parë nuk shkoi më shumë se pozicioni i 16-të.
GARA Lara bëri një nisje të mirë në zbritjen e parë, por më pas shpërdoroi gjithçka me një gabim që e penalizoi me shumë vende në renditje dhe thuajse i kushtëzoi të gjithë garën e djeshme në Austri. Kështu, Lara e mbylli lëshimin e parë me kohën 58.88, duke u klasifikuar në vendin e 16-të. Një rezultat zhgënjyes për kampionen tonë, e cila priste shumë më tepër se kaq. Kolturi u rikthye fuqishëm në zbritjen e dytë me një provë fenomale, duke e ndalur kronometrin në kohën 53.77, për të merituar vendin e parë. Megjithatë me kohën totale 1:52.65, skiatorja italiane që përfaqëson ngjyrat kuqezi, nuk mundi të shkonte më shumë se vendi i tetë në klasifikimin e përgjithshëm.
Ndërkohë protagonistja e madhe e garës së djeshme në sllallomin e mbajtur në Flachau ishte sërish Mikaela Shifrin. Amerikania vijon t’i forcojë pozitat si lidere e Kupës së Botës, teksa zuri vendin e parë me kohën 1:50.52. Në vend të dytë u klasifikua një tjetër amerikane, Paula Moltzan, me rezultatin +0.41 nga kreu, ndërsa podiumi u plotësua nga austriakia Katharina Truppe, me diferencë +0.65 nga vendi i arë. Për sa i përket klasifimit të përgjithshëm në Kupën e Botës, Shifrin kryeson me 92 pikë, ndjekur nga Kamil Rast e Zvicrës me 753 pikë dhe Moltzan me 502 pikë. Lara Kolturi është e nënta me 434 pikë, ndërsa mbetet lidere për të rejat.
