Lara Colturi vijon të dhurojë paraqitje të mira.  Skiatorja shqiptare e ka mbyllur fundjavën amerikane, etapën e katërt të Kupës së Botës 2025-2026, me një vend të tjetër podium në sllallom dhe me një vend të 12-të në sllallom gjigant. Konkurrimi në Malin Koper në Kolorado nisi mbrëmjen e së shtunës me garën e sllallomit gjigant. Një ditë jo shumë pozitive për Larën.

Skiatorja italiane që garon për Shqipërinë, në zbritjen e parë u rendit e gjashta, ndërsa në lëshimin e dytë u klasifikua në vendin e 19-të. Kështu me kohën totale 2:00.82, Kolturi nuk mundi të shkonte më shumë se vendi i 12-të, me diferencë +1.91 nga australiane Alis Robinson, fituese e garës së sllallomit gjigant. Podiumi u plotësua nga austriakja Julia Sheib (+0.96) dhe norvegjezja Tea Shternejsund (+1.08).

Paraqitje e dobët në sllallomin gjigant për lideren e Kupës së Botës, Mikaela Shifrin. Amerikania u klasifikua në vendin e 14-të në konkurrimin e shtëpisë, me diferencë +2.08 nga kreu. Më tej e diela rezervoi garën e sllallomit, aty ku skiatorja kuqezi spikati me performancën e saj, duke shënuar podiumin e tretë sezonal në Kupën e Botës. Lara shënoi kohën 53.68 në zbritjen e parë dhe 56.92 në zbritjen e dytë, duke e mbyllur garën me rezultatin total 1:50.60, për t’u klasifikuar në vendin e tretë me diferencë +1.85 nga fituesja Mikaela Shifrin, e cila vijon të dominojë sllallomin.

Në vend të dytë u klasifikua gjermania Lena Duerr, +1.57 nga kreu. Ndërkohë, për sa i përket renditjes së përgjithshme pas katër etapave të para Kupës së Botës, Shifrin i forcon pozitat në vendin e parë. Kampionia amerikane udhëheq renditjen me 368 pikë të grumbulluara. Pas saj vijnë Lara Kolturi, në vendin e dytë me 278 pikë dhe Lena Duerr, e cila plotëson treshen e parë me 224 pikë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb