Autoritetet gjermane kanë nisur një procedim penal ndaj një pasagjeri të Turkish Airlines, i cili dyshohet se refuzoi të ulej pranë një gruaje gjatë një fluturimi nga Turqia drejt Düsseldorf-it, duke pretenduar se kjo ishte në kundërshtim me ligjin e Sheriatit. Gjatë incidentit, ai dyshohet se goditi me shuplakë një asistente fluturimi që u përpoq ta bindte të zinte vendin e tij.
Sipas gazetës gjermane Bild, i dyshuari është një 29-vjeçar gjerman me origjinë turke. Sipas policisë, ai refuzoi të ulej në sediljen e caktuar, pasi ndodhej pranë një gruaje, duke argumentuar se kjo binte ndesh me ligjin e Sheriatit, sistemin e normave fetare islame. Kur një anëtare e ekuipazhit u përpoq t’i shpjegonte situatën dhe rregullat e fluturimit, 29-vjeçari dyshohet se e goditi atë me shuplakë në fytyrë.
Policia Federale Gjermane ndërhyri menjëherë pasi avioni u ul në Aeroportin e Düsseldorf-it më 1 qershor dhe mori në dorë hetimin e çështjes. Sipas Bild, i dyshuari thuhet se e ka pranuar veprimin e tij gjatë marrjes në pyetje. Deri më tani, Turkish Airlines nuk ka bërë asnjë koment publik lidhur me incidentin.
Ngjarja është vetëm një nga rastet e fundit të dhunës dhe sjelljes së papërshtatshme të pasagjerëve gjatë fluturimeve. Në muajin maj, një avion i Delta Air Lines që udhëtonte nga Fort Lauderdale drejt Los Angeles u detyrua të kryente një ulje emergjente në shtetin e Georgia-s, pasi një pasagjer goditi me shuplakë një asistente fluturimi gjatë një debati për shërbimin e pijeve. Po ashtu, muajin e kaluar, një pasagjer i dehur në një fluturim nga Britania e Madhe drejt Mallorcës goditi me grusht një efektiv policie gjatë ndërhyrjes për ta larguar nga avioni, pas një konflikti që kishte nisur mes një çifti në bord.
