Një ngjarje e rëndë dhune po trajtohet sot në emisionin “Me Zemër të Hapur” në News24, të moderatores dhe autores Evis Ahmeti, e ndodhur në fshatin Vjosë, në Fier. Babë e bir, Ylli dhe Altin Meçe, janë sulmuar brutalisht nga tre persona, njëri prej të cilëve dyshohet se është punonjës i Policisë Vendore Fier. 46-vjeçari që kishte vetëm pak kohë që ishte kthyer për festat nga Gjermania në vendin e tij, ra pre e dhunës barbare, bashkë me babanë e tij të moshuar.
Altini, tha nga shtrati i spitalit se gjithçka kishte nisur pas komenteve dhe pëlqimeve që kishe bërë në faqen e një bashkëfshatareje të tij në rrjetet sociale. Ai tha se me vajzën në fjalë, e martuar, nuk kishte asnjë gjë, por e kishte komplimentuar për arritjet e saj.
“Gjendja ime është shumë e rënduar. (Shfaqet i fashuar në kokë). Babai është 80 vjeç. Jemi dhunuar në mënyrë brutale. Jemi dhunuar brenda ambienteve, te dera kryesore e shtëpisë. Në derën e shtëpisë, nga disa persona. Ishin të paktën, se nuk dukej shumë, se na fikën dritat. Ishin të paktën 3 persona, pasi ndjeva prekjet e tyre. Më kanë qëlluar aq shumë, mizorisht, sa këto 3 ditë në spital po nuk mora qetësues çdo dy orë, nuk ngrihem dot në këmbë. Jam rrahur brutalisht. Kam shenja të dhunës gjithandej. Kam shembje në gjithë trupin, por jo thyerje. Besohet se jam goditur me shkop gome, sepse ishin të forta. Kam dhe çarje në kokë, që mund të jetë dhe levë hekuri. U kapa nga një person në derë dhe dy të tjerë më kanë qëlluar direkt. Dy më qëlluan direkt. Njëri prej tyre më foli, ata të tjerët më shtrinë në tokë. Nuk kuptoj se si…pasi kam rënë në tokë pa ndjenja. U përmenda pas 20 minutash. U riktheva nga Gjermania në 19-20 dhjetor. Do të qëndroja edhe këtë javë. Pasi në Gjermani është kohë e keqe, dhe firma më kërkonte që të paraqitesha në punë të hënë që vjen.
E pamundur që të kthehem në punë. Në Gjermani kam 5 vite, në emigrim kam 32 vite. Jam i divorcuar prej 8 vitesh. Kam 3 fëmijë të rritur. Në këtë drejtim se si erdhën ngjarjet, i kisha bërë ‘like’ një goce nga fshati. Por nuk besoj se kam bërë krim. Ajo është rreth 30 vjeçe. E martuar ka familjen e saj. Ajo kishte hapur një faqe online, bënte një punë nga shtëpia dhe unë bëra disa like në disa postime dhe bëra një koment; ‘bravo, paske arritur shumë në jetë’. Ajo nuk jeton në fshatin tonë, veç prindërit e saj jetojnë këtu. S’kam pasur asnjë raport me të, ishim bashkëfshatarë. As kam pasur ngacmim as lidhje, as nuk e kam kaluar ndërmend. Kemi pasur raporte të mira me familjen e saj.
Kur e kam takuar për herë të fundit vëllain e saj, kemi pirë kafe dhe se kam takuar asnjëherë më. Jemi nga një fshat. Se kuptoj se si të arrijë deri këtu! Para se të ndodhte ngjarja më dërgoi një sms dhe më thotë; Nuk e di me kë je pleksur. Mu prezantua; jam filani. I kam kthyer sms dhe i kam thënë; nuk ke pse më shan dhe ofendon. Unë i thash; motra jote nëse unë i bëj like dhe është ofenduar, të më thotë. Më parë isha në lokal pimë kafe me vëllanë, e më pas u ktheva në shtëpi. Sa u futa dhe hapa portën e madhe, futa makinën brenda dhe mbylla derën. Pasi u futa brenda, mu fikën dritat. Më thirri dikush; o Altin. Dola vetëm me telefon në dorë dhe mendova se do ishte vëllai. Kur dola në derë më përsëriten të njëjtat fjalë të SMS.
Më shan dhe më thotë; tani do e marrësh vesh se kush jam unë. Aty më qëlloi direkt! Me personin e parë që mu drejtua, u preka me duart, pastaj të tjerët më shtrinë përtokë. S’mbaj mend gjë më. Se si ka dalë babai im përjashta dhe se si e kanë dhunuar, sdi gjë. U përmenda kur erdhi ambulanca. Isha larë në gjak. Më morën më bënë grafi, skaner dhe qetësues. Më qepën në kokë. Jam në spital prej asaj dite. Jemi në një konflikt të hapur, dhe unë vetëm ditën e parë kam pasur polic te dera. Kërkova mbrojtje, por nuk u vlerësua. Se di me ça është bërë me atë zotëri, apo me të tjerët. Mua më kërcënohet jeta. Kam bërë kallëzim që në momentin që erdhëm në spital. E kemi bërë denoncimin te zotërinjtë që ishin këtu. Atë djalin njoha vetëm. E njoha nga zëri. Më përsëriti të njëjtat fjalë, që më kërcënoi”, tha ai.
NGJARJA
Ngjarja e rëndë ndodhi në banesën e babë e bir në fshatin Vjosë. Sipas informacioneve të siguruara, autorët fillimisht kanë ndërprerë energjinë elektrike të banesës dhe më pas kanë thirrur jashtë Altin Meçen, i cili është goditur me mjete të forta dhe është rrëzuar para shtëpisë. Kur babai i tij ka dalë për të parë çfarë po ndodhte, edhe ai është sulmuar, duke pësuar plagë serioze. Pas dhunës, autorët janë larguar nga vendngjarja, duke marrë me vete edhe telefonin celular të njërit prej të dëmtuarve.
Të plagosurit janë transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Fierit. Ylli Meçe dhe Altin Meçe ndodhen të shtruar në repartin e kirurgjisë, në gjendje serioze, por jashtë rrezikut për jetën. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Sipas familjarëve, konflikti dyshohet se ka lindur pas komenteve dhe pëlqimeve në rrjetet sociale, ku një nga autorët e dyshuar rezulton të jetë vëllai polic i vajzës që Altini i kishte bërë ‘like’ dhe koment në rrjetin social ‘Facebook’.
