Kuvendi i Shqipërisë, përmes Drejtores së tij Juridike, Mimoza Arbi, ka deklaruar në Gjykatës Kushtetuese se pezullimi nga detyra dhe bllokimi i pasaportës së zv.kryeministres Belinda Balluku janë në shkelje të Kushtetutës.

Arbi tha në seancën në Kushtetuese për çështjen Balluku, se sipas neneve përkatëse, deputetët gëzojnë imunitet dhe nuk mund të pengohen, arrestohen apo ndiqen penalisht pa miratimin e Kuvendit Popullor. Ndjekja penale mund të kryhet vetëm me pëlqimin e Kuvendit.

Në pikën 3 të nenit 103, Kushtetuta garanton pushtetin ekzekutiv, duke siguruar që ministrat që gëzojnë imunitet si deputetë të kenë të njëjtat mbrojtje kushtetuese. Po ashtu, neni 73 i Kushtetutës parashikon se deputeti nuk mund të arrestohet apo t’i ushtrohet kontroll paraprak.

Drejtorja Juridike e Kuvendit thekson se vendimet për pezullimin nga detyra dhe bllokimin e pasaportës janë marrë në kundërshtim me këto parime kushtetuese.

“Pezullimi nga detyra dhe bllokimi i pasaportës për zv.kryeministren, Kuvendi e gjen në shkelje të Kushtetutës. Në nenin 22 parashikohet se deputeti i Kuvendit gëzon imunitet dhe nuk mund të pengohet, arrestohet apo ndiqet penalisht pa miratimin e Kuvendit Popullor. Ndjekja penale bëhet vetëm me pëlqimin e Kuvendit Popullor.

Në pikën 3 të nenit 103 të Kushtetutës është një dispozitë themelore që garanton pushtetin ekzekutiv. Kur ministrat gëzojnë imunitet si deputetë, ky imunitet është i barabartë dhe krijon garanci kushtetuese. Neni 73 i Kushtetutës parashikon se deputeti nuk mund të arrestohet dhe ndaj tij nuk mund të ushtrohet kontroll paraprak.’, tha Arbi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: