Kryeministri Edi Rama ka deklaruar sot gjatë një komunikimi publik se prodhimi i brendshëm bruto është rritur me 2.5 herë gjatë qeverisjes së tij, ndërsa projeksionet ekonomike të qeverisë nuk janë “si përrallat e bufit”, siç i cilësoi ai premtimet e kreut të PD, Sali Berisha.

Ai theksoi se qeveria punon me ekspertizë vendase dhe ndërkombëtare, përfshirë edhe ish-kryeekonomistin e Angela Merkel.

Sipas Ramës, qeveria nuk mund të bëjë projeksione të pabazuara, pasi është në proces negociatash me Bashkimin Evropian dhe duhet të dëshmojë seriozitet institucional.

Edi Rama: Prodhimi i brendshëm është rritur me 2.5 herë. Projeksionet tona nuk janë si përrallat e bufit, si këto që lëshojnë partitë që vijnë vërdallë, janë projeksione të qeverisë së vendit, nuk janë projeksione për të marrë vota.

Punojmë shumë me ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë. Drejtpërdrejtë me mua punon krye ekonomisti i Merkel që punoi me të për 10 vite. Nuk mund të dalim si qeveri të bëjmë projeksione surreale sepse pa mbaruar mbledhja me vjen një telefonate nga grupet negociatore e më thonë, çfarë është kjo? Sepse negociatat janë marrëveshje mes një shtëpie të pasurish me 27 anëtarë dhe një shteti që duhet të kalojë check up dhe të provojë që është një shtet me institucione që flet e bën gjërat siç duhet. Nuk mund të hedhim fishekzjarrë e të themi do të bëjmë 500 euro pensionet.

Ne nuk jemi në garë me Gjermaninë, dikur ishim të dytët pas tyre. Ne krahasohemi me veten dhe rajonin. Jemi në një rajon që ishte më parë se ne. Që ka trashëguar një bazë industriale që ne e shkatërruam në fillim të viteve 1990.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb