Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbajtur fjalën e tij përmbyllëse në Gjykatën Speciale në Hagë, ku po përballet me akuza për krime të pretenduara gjatë Luftës së Kosovës.
Në deklaratën e tij para trupit gjykues, Thaçi rikujtoi se ishte ndjekur dhe dënuar në mungesë nga regjimi i Sllobodan Millosheviçit, me akuzën për shkelje të ligjeve që ai i cilësoi si diskriminuese. Sipas tij, i njëjti regjim kishte dënuar në mungesë edhe liderë perëndimorë si Bill Clinton, Madeleine Albright, Tony Blair, Gerhard Schröder, Jacques Chirac dhe Javier Solana.
Thaçi theksoi se vendimi për t’u kthyer në Kosovë në pranverën e vitit 1998 ishte personal dhe i motivuar nga situata në terren.
“Duke parë masakrat ndaj popullit tim, nuk mund të qëndroja indiferent. Vendosa të kthehem në Kosovë. Ky ishte vendimi im personal. Nuk mund të qëndroja anash teksa familja dhe populli im përballeshin me shfarosje. Bëra atë që do bënte secili prej jush nëse populli juaj do përjetonte atë që përjetoi populli im. Për këtë jam shumë krenar dhe nuk i bie pishman asnjëherë”, deklaroi ai.
Ai kundërshtoi pretendimin e prokurorisë se qëllimi i tij kishte qenë marrja në kontroll e Kosovës, duke e cilësuar këtë akuzë si të pavërtetë dhe ofenduese për viktimat e luftës dhe përpjekjet e NATO-s.
Sipas Thaçit, gjatë luftës ai nuk kishte siguri për jetën e tij dhe as për fatin e familjes. “Nuk u ktheva për kontroll dhe pushtet, por për liri dhe paqe”, u shpreh ai.
Ish-presidenti shtoi se në atë periudhë kontrolli në Kosovë ishte në duart e regjimit të Millosheviçit dhe se shqiptarët nuk ushtronin pushtet, por ishin të shtypur.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e mbështetjes ndërkombëtare, duke veçuar rolin e SHBA-së dhe NATO-s në përfundimin e luftës dhe në arritjen e pavarësisë së Kosovës.
“Millosheviçi nisi luftën në Kosovë, ndërsa ne po vetëmbroheshim. Luftën mund ta përfundonte vetëm NATO dhe ashtu ndodhi”, deklaroi Thaçi, duke shtuar se ndërhyrja e NATO-s ishte vendimtare për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
