Një orë para nisjes së protestës së thirrur nga opozita, në selinë e PD janë mbledhur dhjetëra militantë, ndërsa policia e Shtetit është mobilizuar me forca të shumta efektivësh, rreth 1350 policë, në sheshin para godinës së qeverisë.

Sic raportoi për BalkanWeb, gazetari i News24 Osman Stafa, tha se masa të shtuara sigurie vërehen para Kryeministrisë e cila duket se është “blinduar” për protestën e sotme.

“Policia ka marrë masa nëse protestuesit do të hedhin molotovë, duke “blinduar” derën e Kryeministrisë. Në tarracën e Kryeminstrisë, janë vendosur snajper”, tha gazetari Osman Stafa.

Nga ana e opozitës, ka nisur përgatitja për protestën, ku në sheshin para Kryeministrisë është vendosur podiumi ku do të mbahen fjalime.

Protesta e sotme është konsideruar mjaft e rëndësishme nga ana e opozitës, e cila me organizimin e sotëm, hap stinën e protestave deri në rrëzimin sipas tyre të qeverisë dhe largimin e Ramës nga pushteti.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb