Në rezervatin natyror të Kenias, masa të reja drastike po ndërmerren për të mbrojtur rinocerontët nga gjahtarët që i vrasin për t’u marrë brirët. Dikur kishte rreth 200,000 rinocerontë në Kenia. Numri ra në rreth 200 në mesin e viteve 1980, por me krijimin e qendrave të përkujdesjes së tyre, popullata e mori veten dhe ka shkuar sërish në 600

Kurrë nuk pritet që të jetë ftohtë në Afrikë, por në Laikipia të Kenias, është shumë ftohtë. Retë e trasha fshehin spiralet e malit Kenia dhe teksa errësira bie, temperaturat bien ndjeshëm.

Jemi shtrirë në bar me tre vendas të armatosur rëndë. Njëqind metra më tutje qëndrojnë tre rinocerontë të bardhë. Ata janë shumë të dukshëm nisur nga vendndodhja jonë dhe nga këtu me tre goditje të thata, shoqëruesit e mi mund të fitojnë secili rrogën vjetore.

Por ata nuk do t’i qëllojnë. Janë pjesë e një ushtrie private të trajnuar nga SAS, ngritur për të mbrojtur speciet nga gjahtarët. Pyes togerin se çfarë do të bënte nëse kapte në gabim një nga miqtë apo fqinjët e tij.

Përgjigjja e tij të lë pa fjalë. “Nëse ai vjen për të vrarë rinocerontët, ai po grabit të gjithë komunitetin. Do ta qëlloja për vdekje”.

Dikur kishte rreth 200,000 rinocerontë në Kenia. Numri ra në rreth 200 në mesin e viteve 1980, por me krijimin e qendrave të përkujdesjes së tyre, popullata e mori veten dhe ka shkuar sërish në 600.

Rezervatet Leva dhe Borana, 375 kilometër katror së bashku, formojnë një nga këto qendra të përkujdesjes. Rinocerontët në pamje të parë të frikësojnë, por për trafikantët që mbajnë armë zjarri, ata janë të thjeshtë për t’u vrarë. Nuk ka dallim as për speciet në ngjyrë të bardhë dhe as ato në të zezë, të cilat u vendosën këtu që në vitin 1984. Por gjahtarët arritën t’i gjejnë edhe këtu.

“Humbëm 17 nga një popullatë prej 90 krerësh”,- thotë Michael Dyer, nga rezervati i Boranës. “Nuk ishim të armatosur dhe nuk kishim shumë njerëz, ndaj na u desh ta ndryshonim lojën”.

Dyer rekrutoi një ish-instruktor të Forcave Speciale nga ushtria britanike për të stërvitur një milici të zgjedhur me kujdes nga burrat vendas. Pastaj u dha atyre të drejtën për të përdorur armët, duke i përfshirë ata si rezervistë të policisë së Kenias.

“Ata veprojnë në skuadra prej katër personash, të përbërë nga një snajper, dy pushkatarë dhe një sinjalizues”, thotë Dyer. “Kanë mjete për të parë natën dhe radio dixhitale nëse u nevojiten, mund të thërrasin mbështetje nga toka dhe nga ajri.

Skuadrat monitorojnë 102 rinocerontë, por kur hasen me gjahtarë, nuk i arrestojnë. Madje as nuk i kërkojnë t’i ulin armët. Në vend të kësaj, i vrasin direkt. Deri më tani kanë vrarë 19 gjahtarë të paligjshëm, në prita të ndara, ku me gjasa viktimat e tyre as nuk e kanë kuptuar se çfarë i goditi.

Dyer thotë se kjo është mënyra më e sigurt për t’u marrë me burrat që përballen me 25 vite burg nëse dënohen.

“Teknikisht neve na duhet t’u ofrojmë atyre mundësinë të dorëzohen”, – shton ai, – por kjo priret të ndodhë pasi ata janë nxjerrë nga loja”.

Dhe funksionon. Gjahtarët, që fitojnë 21,000 dollarë për një bri 9-kilogramësh që ka vlerë 570,000 dollarë në Hanoi, nuk janë dorëzuar. Por vitin e shkuar asnjë rinoceront nuk u vra në rezervatin Leva. Borana humbi vetëm një, i cili u qëllua në korrik. Por a nuk ngre çështje të legjitimitetit dhe etikës ngritja e një ushtrie private nga të bardhët, ku gjahtarët vriten pa u paralajmëruar?

Dyer e hedh poshtë çështjen. “Rinoceronët kanë qenë në këtë planet për pesë milionë vite”, thotë ai. “Nëse nuk i mbrojmë ne, atëherë kush do t’i mbrojë?”

Komuniteti vendas, që përfiton nga turizmi, duket se bie dakord.

“Gjahtarët janë njerëz të këqij”, thotë një bari. “Ndonjëherë ne i shohim ata në qytet. Njerëz të varfër që papritur pasurohen. Ata nuk mund t’i shpenzojnë këtu ato para. Ne i detyrojmë të largohen”.

Pavarësisht apeleve nga të famshmit dhe figurat e tjera serioze, uria për brirë – një simbol që besohet se kuron gjithçka nga dehja te kanceri – po rritet. Çdo rinoceront në Leva dhe Borana është një shënjestër e mundshme dhe kjo do të thotë se çdo kafshë ka nevojë për mbrojtje 24-orëshe.

Siç e thotë dhe Dyer, “përpjekja për të mbajtur gjallë rinocerontët vetëm sa është humbje parash”.

“Edhe me ty, rinocerontët nuk e vunë re që ishim këtu, – pëshpëriti ushtari. Tani e sheh se sa e lehtë është për gjahtarët”.

Boda boda-t, motoçikletat e lira të importuara nga Kina – e kanë bërë edhe më të lehtë. Shoferët që rrinë në gatishmëri për t’u larguar i përdorin ato për t’u tërhequr me shpejtësi.

Sapo kafsha është qëlluar, grabitësit u afrohen dhe i marrin bririn. Një trend i fundit është edhe lënia e një pjese të lëkurës te briri. Për ata që i blejnë, ky është një tregues i luksit.

Skuadra është ende e mërzitur për rinocerontin e vrarë në korrik. “Ne e dëgjuam të shtënën, por nuk e kuptuam nga ç’drejtim erdhi. Kur gjetëm trupin e kafshës, gjahtarët ishin larguar”.

Herën tjetër mund të mos ketë aspak zhurmë të shtëne. Gjahtarët po mësojnë dhe nga frika po përdorin shigjeta me helm.

Në vitin 2014, një numër rekord prej 1215 rinocerontësh u vranë për brirët në Afrikën Jugore dhe njëkohësisht 42 gjahtarë u vranë nga policia dhe mbrojtësit e tyre. Ky konflikt i përgjakshëm nxitet nga besimi i gabuar në Azi se brirët e rinocerontit kurojnë kancerin dhe ky besim po shtohet çdo vit.(shqip)
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: