Në atentatin dështuar në burgun e Vaqarrit ka “gisht” një gardian, ndërsa hakmarrësi për vrasjen e vëllait kishte më pak se një vit që planifikonte gjthçka. Historia komplekse mes fisit Kolaveri dhe Daci është shpalosur dhunshëm në Kamzë, kur nëntorin e vitit të kaluar 28-vjeçari Valter Kolaveri u qëllua për vdekje. Më tej në Vaqarr, i vëllai i viktimës, Ergys Kolaveri, me një armë snajper qëlloi për të vrarë Gazmir Dacin, por plagosi një kosovar.

Polici informator
Nga burimet e Policisë së Tiranës konfirmohet për “Shqip” se Daci kishte një informormator të brendshëm, një polic burgjesh që ka pasur lidhje shoqërore me familjen Kolaveri. Autoritetet e burgjeve kanë nisur një hetim administrativ, për të përcaktuar rolin e secilit prej punonjësve dhe lëvizjet e tyre përgjatë 30 korrikut.

Trafiqe dhe përgjakje
Por e gjithë kjo seri atentatesh dhe përgjakje, i ka rrënjët në zonën Calais të Francës, ku peshkatarët atje marrin nga 20 emigrantë për një rrugë, për t’i dërguar në Angli. Transporti kryhet për llogari të bandave shqiptare, të cilët marrin nga 10 mijë paund për çdo emigrant. Përveç varkave, transporti kryhet edhe me jahte ose avionë të lehtë. Shqiptarët “kopsisin” edhe letra nëse paguan më shumë dhe sigurojë madje edhe transport komod. Kur RENEA vuri prangat 27-vjeçarit Daci, mes 22 dhe 23 dhjetorit 2015, në dhomën e hotelit, ai rrëfeu edhe përse e vrau Valterin më 4 nëntor 2015 dhe i plagosi vëllain, Robertin. Të tre jetonin prej kohësh në Francë dhe aktiviteti i tyre ishte transportimi ilegal i klandestinëve nga Franca drejt Anglisë. Sipas rrëfimit të 27-vjeçarit të dyshuar për vrasje, dy vëllezërit Kolaveri, e kishin rrahur në bodrumin e një banese. Shkak për sherrin ishte bërë prishja e pazareve për transportimin e klandestinëve nga Franca në Britaninë e Madhe dhe se Daci po u merrte klientët vëllezërve.

Ç’ndodhi në Vaqarr
Ergys Kolaveri dhe Enea Ceka (kushëriri me familjen Kolaveri), të dy të arrestuar, tentuan të vrisnin me snajper brenda burgut nga një distancë prej 150 metrash, 27-vjeçarin Elson (Gazmir) Daci, lindur në Kukës dhe banues në Bathore. Ditën e shtunën dy kushërinjtë gabuan shënjestër dhe plagosën në këmbë kosovarin Lili Dulaj. Ky i fundit, banon në Tiranë dhe prej muajsh është lënë në burg për “dhunë në familje” dhe ekspertët kanë përcaktuar se u plagos gabimisht.

Familja Daci
Më 6 shkurt të këtij viti një sasi prej 100 gramësh tritol shpërtheu jashtë dyerve të lokalit të Xhevdet Dacit, babait të Elsonit, teksa të dy ndodheshin prapa hekurave. Xhevdeti u arrestua bashkë me të birin për armëmbajtje pa lejë. Në vitin 2014, Xhevdet Daci u akuzua nga policia se kishte sajuar një shpërthim granate, që i biri të përfitonte azil. Ndërkaq, dje gjatë një prononcimi për një televizion privat, nga ambientet e burgut, Xhelal Daci, kërkonte rihapjen e dosjes. Daci tha se familja Kolaveri po tenton të marrë gjak me çdo mjet. Ai tha se familjes së tij i është dy herë tritol nga familja Kolaveri. “Nuk janë vetëm anëtarë të familjes Kolaveri autorët e ngjarjes. Kanë qenë 3-4 veta. Është dhe familja Ceka”-shprehet ai.

Kolaveri
I sapoarrestuari Ergys Kolaveri dhe kushëriri i tij Enea Ceka, nuk e kanë pranuar akuzën e atentatit në burgun e Vaqarrit. Burimet policore shtuan për “Shqip” edhe pjesë të dëshmisë së të arrestuarit. “Ne jemi shënjestra e vetme e familjes Daci dhe për çdo gjë që iu ndodh atyre na akuzojnë ne. Më kanë vrarë vëllain dhe kam shumë halle, por nuk kam qëlluar unë në Vaqarr”-mësohet të jetë shprehur Ergys Kolaveri.

Hetimet
Policia dhe prokuroria po hetojnë për një “larje hesapesh” në stilin e zhdukjes së gjurmëve. Për ekspertët, një rrahje nuk mund të shkaktojë aq inat sa të pasojë një vrasje dhe në këtë mes luhen interesat e bosëve shqiptarëve që vijojnë kalimet ilegale të emigrantëve nga Franca në Angli. (shqip)
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb