Shumica në nënkomisionin e Kuvendit për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga bota akademike përsëriti formalisht të hënën procedurën e shortit për zgjedhjen e anëtarëve të rinj në të dy këshillat, pavarësisht kontestimeve të opozitës.

Si në shortin e dy shkurtit, në garë ishin sërish të njëjtët kandidatë: Ilir Rusi, Orjona Muçollari, Yllka Ruka dhe Mirela Bogdani.

Anëtarja e vetme e opozitës e pranishme në mbledhje, Dhurata Çupi kontestoi sërish procedurën dhe kërkoi që në garë të përfshiheshin edhe personat e skualifikuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit për shkak të mosplotësimit të kritereve formale. Çupi tha se kandidatët e skualifikuar ishin të arsimuar në universitete prestigjoze dhe fakti se nuk mund të dokumentonin punësimin jashtë vendit kishte të bënte edhe me vështirësitë që ata kishin pasur.

Qëndrimi i saj u kundërshtua nga kryetarja e nënkomisionit, Klotilda Bushka, e cila tha se ata do i qëndronin strikt procedurës së ndjekur edhe më herët edhe në respekt të barazisë së shanseve. Bushka tha se kjo kishte të bënte me sigurinë juridike të kandidatëve.

Pas diskutimit të shkurtër, Çupi tha se nuk kishte kundërshti për asnjë prej emrave në short, por për shkak të procedurës, zgjodhi të mos votonte asnjë prej tyre.

Pas kësaj u hodh shorti, sipas të cilit Ilir Rusi u zgjodh në vendin e Maksim Çokut në Këshillin e Lartë Gjyqësor, ndërsa Orjona Muçollari në vendin e Erjon Muharremajt. Në Këshillin e Lartë të Prokurorisë u zgjodhën Yllka Ruka që zëvendëson anëtarin Sandër Beci dhe Mirela Bogdani në vend të anëtarit Gent Ibrahimi.

I vetmi ndryshim nga shorti i dy shkurtit ishte kalimi i Yllka Rukës në KLP dhe Ilir Rusit në KLGJ. Nëse lista e re nuk merr 2/3 e votave në Kuvend, procedura do të përsëritet edhe një herë të tretë. Shorti i fundit do të jetë përcaktues, pasi nëse votimi dështon, kandidatët marrin vendet e përcaktuara sipas shortit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: