Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka pritur në një takim kryetarin e komunës së Ulqinit dhe një delegacion shoqërues.

“Populli i Ulqinit iu ka simbol”, i ka thënë në hyrje të bisedës Omer Bajraktari duke shprehur në vijim solidaritetin kryetarit demokrat për sulmin e programuar politik para protestës së 6 dhjetorit.

Berisha e ka falenderuar zotin Bajraktari për vizitën dhe shprehjen e mbështetjes vëllazërore dhe biseda ka kaluar te sfidat e faktorit shqiptar në Shqipëri, Mal të zi dhe në gjithë Ballkanin.

“Na duhet fqinjësi e mirë me Malin e Zi”, ka thënë Berisha duke u ndalur në rëndësinë e trevave shqiptare atje për historinë e Shqipërisë.

“Ndryshe nga vendet e tjera, që e kanë nxjerrë nga letërsia, shqiptarët e kanë nxjerrë nga huta Rilindjen dhe ndërgjegjen kombëtare”, ka thënë Berisha duke kujtuar përpjekjet e trevave shqiptare, Plavës dhe Gucisë tashmë jashtë kufijve, për mëvetësinë e Shqipërisë.

Berisha ka kujtuar se në vitin 2013, Shqipëria ia kalonte Malit të zi për nivelin e rrogave, ndërsa sot Mali i Zi ka rrogat me te larta ne rajon ndërsa Shqipëria aktualisht i ka rrogat 20-30% përqind më të ulëta se Kosova, duke u renditur e fundit në rajon.

Kryetari i Ulqinit ka shprehur shqetësimin për mungesën e një pike doganore në anën shqiptare në Zogaj të Shkodrës, duke e informuar kryetarin e PD se malazezët e kanë hapur në anën e tyre. Në fund të një bisede me nota solidariteti dhe vëllazërie, zoti Bajraktari e ka ftuar zotin Berisha për të vizituar Komunën e Ulqinit ftesë të cilën ai e pranoi me kënaqësi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb