Sondazhet janë bërë një mjet shumë i rëndësishëm në procesin e votimit. Edhe pse është e vështirë që të përcaktosh rezultate të sakta mbështetur mbi një numër të kufizuar të popullatës, përdorimi i testeve statistikore e ka rritur së tepërmi cilësinë dhe besueshmërinë e tyre.
Në këtë kuadër Instituti për Politikat Publike dhe Mirëqeverisjen në bashkëpunim me Kolegjin Universitar Luarasi po zhvillojnë një sondazh, qëllimi i të cilit është parashikimi i rezultatit të Zgjedhjeve Parlamentare të 25 qershorit 2017 dhe studimi i karakteristikave të votuesit shqiptar.
Sondazhi përmban një sërë pyetjesh të përgjithshme për votuesit si dhe pyetje mbi preferencat e tyre, të cilat nëpërmjet një sërë metodash dhe testesh statistikore do të përdoren për të marrë analiza dhe rezultate sa më të detajuara.
Ky sondazh synon jo vetëm të përcaktojë me një probabilitet të lartë partinë fituese, por në të njëjtën kohë edhe numrin e deputetëve të partive sipas qarqeve. Metodat statistikore të përdorura do të mundësojnë rezultate mbi mundësitë probabilitare që kanë partitë për të fituar apo marrë më shumë deputetë në varësi të grupit që votuesi i përket. Pjesë e këtij sondazhi online do të jenë vetëm IP e regjistruara në Shqipëri dhe vlen të theksohet se nga një kompjuter apo mobile mund të votohet vetëm një herë.
Pra qëllimi i këtij sondazhi është parashikimi i rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit 2017 dhe studimi i karakteristikave të votuesit shqiptar. Në këtë kuadër, çdo përgjigje dhe e dhënë e juaja në këtë pyetësor do të përdoret vetëm për këtë objektiv dhe me konfidencialitet të plotë.
Vlerësimi i votimit do t’i nënshtrohet metodave dhe analizave të detajuara statistikore për të marrë një rezultat sa më realist dhe për të shmangur çdo abuzim të mundshëm.
Sondazhin e gjeni të afishuar në faqen e “BalkanWeb” dhe ju mund të bëheni pjesë e tij duke klikuar në linkun më poshtë:
https://balkanweb.com/site/sondazhe-3/
Rezultatet e këtij sondazhi do të bëhen publike pasditen e së dielës (25 qershor 2017) duke u afishuar në faqen tonë “BalkanWeb” si dhe do transmetohen në “News 24“.
