TIRANË

Kreu në detyrë i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, njëkohësisht deputeti i PD Belind Këlliçi deklaroi sot se nuk ekziston procesi zgjedhor i shpallur nga kreu i PD-së Lulzim Basha për zgjedhjet e strukturave drejtuese të FRPD dhe se sot do të anoncohet nga organet e këtij forumi.

Këlliçi tha në News24 se nuk do të garojë më për kreun e FRPD. Ndërkohë ai foli dhe për depozitimin e 4200 firmave për thirrjen e Kuvendit, duke sqaruar dhe se kush i verifikon ato dhe pse janë dërguar në zyrën e zotit Edi Paloka, kryetar i Këshillit Kombëtar të PD-së.

“Nuk janë në kasafortë. Dje janë depozituar 4200 firma tek organi më i lartë. Nga mbledhja e një kuvendi në kuvendin e radhës Këshilli është organi më i lartë. 4200 firma janë depozituar dje në zyrën e z. Paloka në PD, si garant i firmave. Procesin e verifikimeve të firmave ka të drejtë vetëm një institucion ta bëjë, Kuvendi kombëtar vetë, me një komision të ngritur, që verifikon mandatet e delegateve.
Nuk është i njëanshëm, nuk është i zotit Berisha, është i demokratëve. Në një kuvend normal, kryetari thërret kuvendin, ngrihet komisioni i verifikimit të mandateve dhe fillon Kuvendi. Në kushtet e sotme, ndodhemi përballë një kuvendi kombëtar të jashtëzakonshëm. I vetmi organ që ka të drejtë të bëjë verifikimin është komisioni i verifikimit të mandateve që e zgjedh zoti Basha. Nëse zoti Basha nuk është në Shqipëri, apo nuk e njeh, atëherë është detyrë e vetë Kuvendit Kombëtar të vetëmblidhet. Kuvendi ka të drejtë të mblidhet kur janë ¼ e delegatëve që kanë firmosur. Komisioni i verifikimit të mandateve verifikon ligjshmërinë e mandateve dhe bën numërimin për kuorumin. Nëse nuk mblidhen delegatët nuk ka vlerë, por kjo vendoset ditën e Kuvendit. Komisionet ngrihen, përgatiten me gjithë materialet e domosdoshme dhe bëjnë verifikimin. Dhe në Kuvendin e fundit, ka qenë Jemin Gjana që ka bërë verifikimin”, tha Këlliçi, raporton “BalkaNWeb”.

Sa i përket deklaratave të sekretarit të përgjithshëm të PD-së Gazment Bardhi, Këlliçi tha se as zyra e z. Bardhi nuk është zyrë protokolli dhe se nga Kuvendi në Kuvendin e radhës, organi më i lartë kryetari i Këshillit Kombëtar, nuk është as kryetari, as kryesia.

“Kushdo që ka interes duhet të shkojnë dhe të njihen me firmat aty. Verifikimin nuk e bëjnë dot, sepse e bën komisioni i verifikimit të mandateve. Unë kam qenë në komisionin e verifikimit të deputetëve. Në rast se Presidenti nuk caktonte një datë për Kuvendin, Kuvendi do të vetëmblidhej dhe do të bënte verifikimin e mandateve, unë kam qenë pjesë e komisionit.
Unë gjykoj që duhet të ishte një Kuvend radhe dhe duhet të ishte i thirrur nga z. Basha. Më shumë i shërben zotit Basha legjitimiteti i Kuvendit. Nëse ai gëzon 95% të mbështetjes së demokratëve siç thotë, i takonte atij të mblidhte Kuvendit, i shërbente atij”, u shpreh ai.

Lidhur me 11 dhjetorin si datë e Kuvendit, ai tha se është çështje statutore dhe e padiskutueshme. “E kemi kthyer partinë në artificë, PD është çështje fryme, çështje njerëzish. Ne duket t’i kthehemi frymës politike. Ka një kërkesë masive për mbledhje ne Kuvendit. Si mund të ndihem i trysnuar, të kem frikë të marr pjesë në një foltore të organizuar nga lideri historik i partisë sime, ku marrin pjesë 1000 të rinj”, u shpreh Këlliçi.

Ai foli dhe për pjesëmarrjen e tij në “Foltoren” e ish-kryeministrit Sali Berisha.
“Iu bashkova sepse Foltorja është kthyer në një hapësirë të lirë të dhënies së mendimit. Z. Berisha ka ndihmuar të kthehemi në demokracinë e drejtpërdrejt. Ka shkuar tek baza, tek anëtarësia. Në foltoren e datës 7, si mundem unë si kryetari i FRPD të mos jem prezent kur kam të gjithë bashkëpunëtorët e mi në këto vite.
Nëse në prill të 2021 ne kërkonim votë për z. Basha nuk na bënte bashist dhe nëse sot marrim pjesë në Foltore kjo nuk na bën berishist. Unë dua një forcë perëndimore. Të ishte ndryshe do ishim pjesë e partisë komuniste, do ishim në PS.
Z.Berisha ka shumë defekte dhe arsye pse është dhe ai përgjegjës për mungesën e demokracisë së mirëfilltë brenda PD-së. Por ndryshe nga të tjerët, ai ka një shans për t’i bërë një shërbim të jashtëzakonshëm PD-së. Në këtë Kuvend Kombëtar të instalohen disa praktika demokratike, të ngrihen disa institucione realisht funksionale. Ku organet e partisë janë funksionale, ku anëtarët e partisë brenda forumeve të tyre të thonë të vërtetën. Unë mendoj që krizat politike zgjidhen përmes votës dhe institucioneve”, tha Këlliçi.

Sa i përket shpalljes së zgjedhjeve në FRPD nga Basha, Këlliçi theksoi se është njëlloj si ai vetë të shpallë zgjedhjet për kryetar të PD-së. “Në asnjë nen të statutit të PD nuk flitet për kompetencë të kreut të PD për të shpallur zgjedhjet në FRPD.
Unë jam pro zgjedhjeve. Nuk ishte ky statut që është sot kur kreu i PD shpalli zgjedhjet e kaluara të FRPD. E kemi miratuar më 4 qershor 2020, ka qenë dhe zoti Basha në sallë.
Nuk ekziston ai proces, ne kemi procesin tonë që e anoncojmë sot. Sot i jam drejtuar sekretariatit të FRDP ku kam shprehur vullnetin për të mos garuar më dhe iu kam kërkuar të organizojnë zgjedhjet. FRPD është PD e pas 15-20 viteve”, tha Këlliçi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb