Kombet e Bashkuara e kanë përcaktuar datën 10 nëntor si Ditën Botërore të Shkencës për Paqe dhe Zhvillim.

Kjo ditë thekson rolin e rëndësishëm të shkencës në shoqëri dhe nevojën për të angazhuar publikun e gjerë në debate mbi çështjet shkencore të reja. Ajo gjithashtu nënvizon edhe rëndësinë e shkencës në jetën tonë të përditshme.

Dita Botërore e Shkencës për Paqe dhe Zhvillim synon të sigurojë që qytetarët të mbahen të informuar për zhvillimet në shkencë si dhe nënvizon rolin që shkencëtarët luajnë në zgjerimin e të kuptuarit tonë për planetin.

Që nga shpallja e saj nga UNESCO në vitin 2001, Dita Botërore e Shkencës për Paqe dhe Zhvillim ka gjeneruar shumë projekte, programe dhe financime konkrete për shkencën në mbarë botën. Ka ndihmuar gjithashtu në nxitjen e bashkëpunimit midis shkencëtarëve që jetojnë në rajone të dëmtuara nga konflikti, ku një shembull është krijimi i mbështetur nga UNESCO i Organizatës izraelito-palestineze të shkencës (IPSO).

Arsyeja e festimit të Ditës Botërore të Shkencës për Paqe dhe Zhvillim i ka rrënjët në rëndësinë e rolit të shkencës dhe shkencëtarëve për shoqëritë e qëndrueshme dhe në nevojën për të informuar dhe përfshirë qytetarët në shkencë.

Hera e parë që kjo ditë u festua, ishte 10 nëntori i 2002-shit, nën kujdesin e UNESCO-s. Festimi përfshiu shumë partnerë, si organizata qeveritare, ndërqeveritare dhe joqeveritare, Komisionet Kombëtare të UNESCO-s, institucionet shkencore dhe kërkimore, shoqatat profesionale, mediet, mësuesit e shkencës dhe shkollat.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb