Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka kritikuar ashpër mazhorancën pas përfundimit të mbledhjes së sotme të Konferencës së Kryetarëve.

Në një prononcim për mediat, Blushi u shpreh se çështja kryesore që duhej të ishte trajtuar ishte ajo e mbledhjes së Këshillit të Imuniteteve dhe Mandateve, në lidhje me kërkesën për zv/kryeministren Belinda Balluku.

“Nuk kishte asnjë arsye reale pse PS duhet të miratonte këtë projektvendim. E vetmja arsye që kjo mbledhje duhet të kishte një vendimmarrje sot ishte përcaktimi i datës se kur do të mblidhet Këshilli i Imuniteteve për t’i dhënë zgjidhje një çështjeje që është kryefjalë, dhe i referohem çështjes së zonjës Balluku,” deklaroi Blushi.

Ai akuzoi mazhorancën se po pengon drejtësinë, ndërsa Kuvendi, sipas tij, miraton ligje për të ndëshkuar qytetarët për shkelje të vogla.

“Është një parlament që miraton ligje për të dënuar shqiptarët për parkim të dyfishtë, ndërkohë që krijon bllokadë për të penguar drejtësinë që të arrestojë zv/kryeministren Belinda Balluku,” tha kreu i grupit parlamentar të Partisë së Lirisë.

Duke u ndalur te reforma territoriale, Blushi foli për një tërheqje të mazhorancës, duke theksuar se dështimi i kësaj reforme është, sipas tij, përgjegjësi e plotë e Partisë Socialiste, e cila e ka miratuar atë në mënyrë të njëanshme.

Ai shtoi se opozita ka përjashtuar bojkotin e Kuvendit si opsion politik, duke e cilësuar bojkotin e mëparshëm si një gabim të rëndë.

“Opozita e ka përjashtuar bojkotin si alternativë. Ka qenë një krim bojkoti i mëparshëm i Kuvendit dhe opozita nuk e ka luksin të përsërisë të njëjtat gabime të së shkuarës,” u shpreh Blushi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb