Me rastin e festës së Sulltan Novruzi, Presidenti Bajram Begaj dhe Kryeministri Edi Rama kanë përcjellë urime për qytetarët shqiptarë, duke theksuar rëndësinë e kësaj dite si simbol i paqes, shpresës dhe harmonisë.
Presidenti Bajram Begaj në mesazhin e tij ka vënë në dukje se kjo ditë përfaqëson pranverën dhe ringjalljen, si dhe vlerat e shpresës, dashurisë dhe unitetit. Ai thekson se Sulltan Novruzi duhet të shërbejë si një thirrje për më shumë mirëkuptim, tolerancë dhe bashkëjetesë në shoqëri.
“Gëzuar Sulltan Novruzin! Kjo ditë e shenjtë, simbol i pranverës dhe ringjalljes, na kujton forcën e shpresës, dashurisë dhe unitetit. Le të na shërbejë si thirrje për më shumë harmoni e mirëkuptim mes nesh, duke forcuar bashkëjetesën dhe tolerancën që na karakterizon si shoqëri,” shkruan Begaj.
Nga ana tjetër, Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të ndajë një mesazh urimi nga Teqeja e Helvetive në Berat, duke e cilësuar atë si një nga vendet më të bukura në Ballkan, ku mbizotërojnë qetësia dhe harmonia.
“Me urimin për Ditën e Sulltan Nevruzit nga Teqeja e Helvetive, Berat, ndër më të bukurat në Ballkan, ku qetësia dhe harmonia janë besim, ju uroj një të diel të paqtë,” shkruan Rama.
