Nënkryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Taulant Bica, i ftuar në News24, ka folur mbi atmosferën e festës së Fitër Bajramit dhe mesazhet që ajo përcjell për besimtarët myslimanë.
Sipas tij, kjo festë e ka gjetur Shqipërinë në një atmosferë të veçantë, e reflektuar edhe në pjesëmarrjen e lartë të besimtarëve në Sheshi Skënderbej.
“Fitër Bajrami e gjen Shqipërinë në një atmosferë që u formua sot në sheshin Skënderbej me një pjesëmarrje jashtëzakonisht të madhe e motivuese, duke shtuar gëzimin që kemi në një ditë feste”, u shpreh ai.
Bica theksoi se kjo atmosferë është pasqyruar edhe në mediat ndërkombëtare, duke shtuar se Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendje për organizimin e aktiviteteve të tilla.
Ai u ndal edhe te dimensioni fetar i festës, duke theksuar se besimtarët myslimanë e nisin gjithmonë festën me adhurim, ndërsa aktiviteti kryesor i mëngjesit ishte falja dhe lutja e përbashkët.
Sipas tij, Fitër Bajrami vjen pas një muaji përkushtimi gjatë Ramazanit, i cili ka qenë i fokusuar te lutjet dhe ndihma ndaj shtresave në nevojë. Në këtë kuadër, ai theksoi se vëmendja e besimtarëve mbetet edhe në këtë ditë te solidariteti dhe mbështetja për më të pamundurit.
Në fjalën e tij, Bica preku edhe situatën globale, veçanërisht në Lindjen e Mesme, duke theksuar se besimtarët myslimanë kanë detyrimin të luten për paqe dhe për përfundimin sa më të shpejtë të konflikteve në këto zona.
