Në Maqedoninë e Veriut zhvillohen të mërkurën zgjedhje presidenciale. Votuesit në zgjedhjet e së mërkurës do të mund të zgjedhin një nga shtatë kandidatët për president.

Kandidatët për president në Maqedoninë e Veriutjanë: presidenti aktual Stevo Pendarovski i mbështetur nga LSDM, Gordana Siljanovska Davkova nga VMRO-DPMNE, Bujar Osmani nga Fronti Evropian, Arben Taravari nga koalicioni VLEN, Biljana Vakovska e mbështetur nga e Majta, Maxim Dimitrievski ZNAM dhe Stevço Jakimovski nga GROM. Për zgjedhjet presidenciale, në listën zgjedhore janë regjistruar 1.814.317 zgjedhës. Në Maqedoninë e Veriut janë të regjistruar 1.713.758 zgjedhës, ndërsa jashtë vendit apo zyrat konsullore mund të votojnë 2.569 zgjedhës.

Siljanovska: Do të luftoj për shtet së të drejtës

Kandidatja e VMRO-DPMNE-së për presidente, Gordana Siljanovska në kuadër të fushatës është fokusuar tek keqpërdorimi i institucioneve nga ana e politikanëve. Ajo vlerëson se politika nuk duhet të privatizohet dhe personalizohet nga karaktere që vetëm e shfrytëzojnë atë. Ajo është përqendruar edhe për mbrojtjen e identitetit kulturor të vendit. Shteti europian duhet ndërtuar sipas traditës së heronjve maqedonas, vlerëson Siljanovska. “Ata që dhanë jetët për Ilindenin e parë, të dytë dhe të tretë, mund dhe duhet të avancojmë në Ilindein e katërt, Ilinden i cili do të shënojë Republikën, i cili do të jetë shtet i së drejtës”, thotë Siljanovska.

Pendarovski: Integrimi europian i vendit nuk vihet në dyshim

Kandidati i LSDM-së për president, Stevo Pendarovski ka kërkuar në fushatë nga qytetarë edhe një mandat për ta çuar vendin përpara, drejt integrimit evropian dhe standardit më të mirë të jetesës. “Ky president dhe kjo garniturë politike, asnjëherë nuk kanë dhënë premtime të rreme dhe shpresa për realizim të shpejtë të qëllimeve strategjike të shtetit. Edhe sot para jush nuk them se Maqedonia do të jetë një prej vendeve më të zhvilluara në Evropë, nuk them se i gjithë ai proces do të zgjasë vetëm disa muaj, por them dhe përsëris gjithandej, rreziku më i madh është nëse në zgjedhje u japim shansin atyre që e pamë se si udhëheqin njerëzit”, është shprehur Stevo Pendarovski, kandidat i LSDM-së për President. Ai gjatë fushatës është fokusuar edhe tek humbja e besimit të qytetarëve në pushtetin gjyqësor.

Osmani: Kushtetuta duhet ndryshuar

Bujar Osmani, kandidati për president nga koalicioni Fronti Evropian i udhëhequr nga Bashkimi Demokratik për Integrim është ka theksuar disa herë gjatë fushatës se në Maqedoninë e Veriut nuk do të mund të formohet qeveria e re, pas zgjedhjeve parlamentare të 8 majit, pa një marrëveshje për votimin e ndryshimeve kushtetuese.

“Pres që VMRO-DPMNE-ja opozitare, nëse arrin ta ketë shumicën në zgjedhjet parlamentare, të pajtohet me ndryshimet kushtetuese për të formuar qeverinë, ndërsa kundërshtimin e deritanishëm të saj më tepër e vlerësoj si qëndrim për të fituar pikë politike”, thotë Osmani. Ai ka folur edhe për rreziqet ruse, jo vetëm për Maqedoninë e Veriut, por edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor. “Kërcënimet ruse mund të kenë pasoja mbi marrëdhëniet ndëretnike, që janë shtylla e stabilitetit dhe e sigurisë në Maqedoninë e Veriut”, vlerëson Osmani.

Taravari: Për një Maqedoni gjithëpërshirëse

Kandidati për president i koalicionit VLEN Arben Taravari gjatë fushatës ka thënë se rrënjët e besimit i ka në punën e palodhur për të forcuar demokracinë për të mbështetur sundimin e ligjit dhe për të siguruar drejtësi ekonomike dhe sociale për të gjithë qytetarët.

“Fokusi ynë kryesor nuk janë vetëm numrat, por çfarë përfaqësojnë ato numra, zërat, besimi dhe aspiratat e njerëzve. Fushata ime u mbështet në një vizion për Maqedoninë që përqafon diversitetin, promovon unitetin dhe ruan prosperitetin ekonomik dhe social për të gjithë qytetarët e saj”, shprehet Taravari.

Vankovska: Maqedonisë i duhen ndryshime rrënjësore

Kandidatja për presidente nga radhët e partisë “E Majta”, Biljana Vankovska përmes bashkëbisedimeve me qytetarët ka premtuar se do të angazhohet për zvogëlimin e buxhetit ushtarak, ndërkaq mjetet e tjera do t’i transferojë për arsim. Gjithashtu, premtoi se do të marrë masa edhe për parandalimin e ikjes së të rinjve nga vendi.

“Çështja është që të mos u jepni shpresë të zbrazët, por të filloni t’i ndryshoni gjërat. Për shembull, e zvogëlojmë buxhetin ushtarak, i transferojmë mjetet në arsim, e dimë se shkollat i kemi katastrofë, rrënohen, tualete të tmerrshme, nuk ka materiale mësimore”, vlerëson Biljana Vankovska, kandidate për presidente nga partia “E Majta”.

Jakimovski: Do ta bëjmë Maqedoninë krenare

Kandidati i koalicionit “Guxim për Maqedoninë” Stevço Jakimovski ka përsëritur disa herë në fushatë se nëse do t’i jepnin shans për president njëherë, shumë herë do të dëshironin që ta zgjidhnin. “Për herë të parë keni kandidat për president që është i gatshëm ta jep jetën për emrin dhe dinjitetin e Maqedonisë. Dhe mos thoni se nuk kishit zgjidhje, dhe mos thoni se të gjithë janë të njëjtë dhe mos thoni se ata janë të mëdhenj ne duhet të lëshojmë pe”, ka thënë Stevçe Jakimovski, kandidat për president.

Dimitrievski: Presidenti nuk duhet të zgjidhet nga Kuvendi

Zgjedhja e presidentit në Kuvend shkel Marëveshjen Kornizë të Ohrit si edhe Kushtetutën, thotë kandidati presidencial nga Lëvizja ‘E DI” Maksim Dimitrievski. Në rast se sillet një vendim që kreu i shtetit të zgjidhet në Kuvend, ai mendon se vendi atëherë nuk do të ketë aspak nevojë për institucionin e presidentit.

“Presidenti zgjidhet nga sovraniteti që qytetarët i japin funksionit që të jetë president i të gjithë qytetarëve. Unë si demokrat me bindje demokratike jam i gatshëm të debatoj për çdo ide por kuptohet që nuk është në dëm të shtetit “, thotë Dimitrievski.

Procesin zgjedhor të 24 prillit do ta vëzhgojnë mbi 940 vëzhgues dhe gazetarë të huaj./DW

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb