Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Bruksel, ku do të mbahet Konferenca e 6-të ndërqeveritare me Bashkimin Europian, ku do të hapen 4 kapitujt e radhës në lidhje me procesin integrues.

Rama ka ndarë pamje ndërsa në njërën prej tyre shihet edhe Marta Kos, komisionerja për Zgjerimin.

“MIRËMËNGJES dhe me padurimin e sotëm për të hapur edhe 4 kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim në BE, që i shtohen 24 kapitujve të hapur në vetëm 11 muaj, një ritëm rekord, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Konferenca e 6-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE i kushtohet grupkapitullit IV: “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”, i cili përmban fusha me rëndësi të posaçme për ekonominë dhe biznesin.

Kapitujt përfshijnë: politikat e transportit (Kapitulli 14), energjia (Kapitulli 15), rrjetet trans-europiane (Kapitulli 21), mjedisi dhe klima (Kapitulli 27)”, të cilat prekin drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve dhe janë faktor transformimi për zhvillimin afatgjatë të vendit.

Konferenca Ndërqeveritare pritet të nisë në orën 08:00, teksa konferenca për shtyp është planifikuar rreth orës 09:15 pasuar nga mbledhja e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së në orën 10:00.

Në fund do të ketë disa fjalime të shkurtra përmbyllëse nga delegacioni i BE-së, ministrja e Danimarkës, Marie Bjerre dhe Komisionerja Marta Kos, si dhe nga kryeministri Rama.

Shqipëria ka çelur deri më tani 4 nga 6 grupkapituj, të ashtuquajturin “Themeloret”, “Marrëdhëniet me Jashtë”, “Tregun e Brendshëm” si dhe “Konkurrueshmëria dhe Rritja gjithëpërfshirëse”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb