Në të gjitha kishat katolike në Shqipëri është festuar mbrëmë në mesnatë Krishtlindja, ku drejtuesit e kishave kanë dhënë mesazhe paqeje dhe dashurie.

Në Tiranë mesha katolike e vigjiljes së lindjes së Krishtit u mbajt në Katedralen e Shën Palit dhe u ndoq nga qindra besimtarë. Arqipeshkvi i Arqidioqezës Metropolitane Tiranë-Durrës, Imzot Arjan Dodaj teksa mbajti Meshën e Krishtlindjes përcolli mesazhin e tij për vëllazëri, paqe e begati.

Në Shkodër mesha e shenjtë për besimtarët u mbajt në Katedralen e Shën Shtjefnit, drejtuar nga arqipeshkvi i Arqidioqezës Shkodër-Pult Imzot Giovanni Peragine, i cili përcolli mesazhet në këtë ditë të shenjtë.

Edhe në Vaun e Dejës, mesha u kremtua në qendër të Dioqezës së Sapës, në katedralen “Nënë Tereza”.

Ndërsa besimtarët e Pukës e pritën lindjen e Krishtit në Kishën e Shën Gjon Pagëzuesit në meshën e drejtuar nga famulltari Dom Zef Marku, i cili i ftoi ata të hapin zemrën e tyre për Krishtin, për të gjetur paqen shpirtërore.

Në Lushnje, besimtarët katolikë kanë marrë pjesë në meshën e krishtlindjeve në kishën e shenjtëve Pjetri e Pali. Ambjenti i jashtëm i kishës, ishte dekoruar me skenën e lindjes së Krishtit në një kasolle barinjsh mes njerëzve e kafshëve. Meshën e shenjtë të krishtlindjes e mbajti dom Gjoni. Mesha tradicionale për festën e lindjes së Hyjit, nisi me vendosjen e foshnjës në një shportëz nën këmbët e altarit të kishës.

Në Durrës, Krishtlindjet Katolike u kremtuan në Famullinë Shën Dominiku, ku besimtarë të shumtë u lutën për sa më shumë paqe e begati.

Mesha e Krishtlindjes u mbajt edhe në Krujë, ku në të gjitha kishat e këtij rrethi mijëra besimtarë kremtuan meshën e lindjes së Krishtit.

Krishtlindja, festa e lindjes së Jezusit është një nga ngjarjet më të mëdha krishtere që shënon zbritjen e Perëndisë në tokë për të shpëtuar njerëzimin. Besimtarët katolikë me qirinj në duar presin mes lutjesh mbërritjen e mesnatës së 25 dhjetorit, lindjen e birit të Zotit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb