Besimtarët myslimanë në të gjithë Shqipërinë mëngjesin e së premtes iu drejtuan xhamive të qyteteve për faljen e Kurban Bajramit. Teksa kujtuan sakrificën sublime të Hazreti Ibrahimit, besimtaret dërguan përmes Tekbireve falënderime për Krijuesin e Gjithësisë.

SHKODER
Në Shkodër, përpara faljes së namazit, ku ishin mbledhur qindra besimtarë, zëvendësmyftiu Arben Halluni në këtë ditë të sakrificës dhe përkushtimit ndaj tjetrit u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë në Shqipëri pranë familjeve të tyre dhe të mos largohen pa u përpjekur së pari këtu.

ELBASAN
Besimtarët në Elbasan u mblodhën për të falur namazin e Kurban Bajramit në sheshin përpara Kalasë, ndërsa hytbja e rastit u mbajt nga Myftiu i Elbasanit, Haxhi Agim Duka. Në këtë ditë të shenjtë, një lutje e veçantë për paqe dhe drejtësi u krye për Rripin e Gazës.

FIER
Në Fier, besimtarët e falën namazin e Kurban Bajramit në sheshin e qytetit, ndërsa falja u drejtua nga myftiu i Fierit Mikel Hazizolli. Myftiu i Lushnjes Gramoz Blliku drejtoi lutje edhe për paqe në Palestinë.

DURRES
Edhe në qytetin e Durrësit besimtarët myslimanë falën namazin e Kurban Bajramit. Falja u krye në Xhaminë e Madhe, ndërsa besimtarët shkëmbyen me njëri-tjetrin mesazhe për shëndet dhe begati për çdo familje.

BERATI
Falja e namazit për Kurban Bajramin në Berat u mbajt në pedonalen e qytetit, ndërsa u drejtua nga Myftiu Bilbil Talla.

KORÇA
Besimtarët myslimanë në qytetin e Korçës iu drejtuan xhamisë historike “Iljaz Bej Mirahori”, për të falur namazin e Kurban Bajramit.

GJIROKASTRA
Në këtë ditë sakrifice, Myftiu i Gjirokastrës Aurel Senja teksa drejtoi faljen e namazit u bëri thirrje besimtarëve të tregojnë përkushtim e solidaritet ndaj njerëzve në nevojë.

KAVAJË
Në Kavajë qindra besimtarë u mblodhën në sheshin kryesor të qytetit, për të kryer faljen e Kurban Bajramit. Falja u drejtua nga Imami Gentjan Nela, ndërsa besimtarët urun njëri-tjetrin për ditë më të mira.

PUKË
Në Pukë falja e Kurban Bajramit u krye në xhaminë historike të Koder Hanit, ndërsa rituali u udhëhoq nga myftiu Gëzim Kopani. Besimtarët drejtuan falënderime për Krijuesin e Gjithësisë.

KUKËS
Në Kukës Imami Fatjon Isufi përcolli urimet për paqe, solidaritet dhe mirësi për të gjithë besimtarët, ndërsa falja e namazit u bë në xhaminë e qytetit.

SARANDË
Në Sarandë falja e namazit për Kurban Bajramin u drejtua nga Myftiu Bledar Mullaj, i cili uroi gjithë besimtarët për paqe, harmoni dhe mirësi në familjet e tyre.

Pas faljes së namazit besimtarët bëjnë kurban dhe më pas mblidhen në një drekë familjare. Një vëmendje e veçantë u kushtohet familjeve në nevojë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb