Kuvendi do të zhvillojë sot në orën 17:00 seancën plenare, ku në rendin e ditës janë parashikuar disa projektvendime që lidhen me funksionimin dhe përbërjen e komisioneve të përhershme parlamentare, si dhe diskutime për çështje të evidentuara nga zgjedhësit.

Në pjesën e parë të seancës, deputetët do të shqyrtojnë projektvendimin “Për zgjedhjen e kryesive të komisioneve të përhershme të Kuvendit”.

Më tej, në rendin e ditës parashikohet shqyrtimi i projektvendimit “Për caktimin e përbërjes së komisioneve të përhershme të Kuvendit”, si dhe projektvendimi “Për caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit”.

Në vijim, Kuvendi do të zhvillojë diskutime për çështje të evidentuara nga zgjedhësit.

Koha e debatit, e cila nuk i kalon 4 orë, është e ndarë mes grupeve parlamentare dhe deputetëve jashtë grupeve parlamentare.

Sipas ndarjes së miratuar, grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka në dispozicion 142 minuta, grupi parlamentar i Partisë Demokratike 60 minuta, ndërsa Aleanca për Ndryshim dhe Partia e Lirisë nga 12 minuta secila. Deputetët jashtë grupeve parlamentare kanë gjithsej 16 minuta, të ndarë në mënyrë të barabartë.

RENDI I DITËS
Në mbështetje të urdhrit nr. 34, datë 29.5.2026 të Kryetarit të Kuvendit, z. Niko Peleshi, rendi
i ditës është si më poshtë vijon:

1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 21.5.2026.
(Neni 44, pika 2, të Rregullores së Kuvendit)

2. Njoftime.
(Neni 44, pika 3, të Rregullores së Kuvendit)

3. Projektvendim “Për zgjedhjen e kryesive të komisioneve të përhershme të Kuvendit”.
(Në mbështetje të nenit 78, pika 1, të Kushtetutës, si dhe të neneve 21, pika 1, dhe 55, pika 1, të Rregullores së Kuvendit, shumicë e thjeshtë votash për miratim)

4. Projektvendim “Për caktimin e përbërjes së komisioneve të përhershme të Kuvendit”.
(Në mbështetje të nenit 78, pika 1, të Kushtetutës, si dhe të neneve 21, pika 1, dhe 55, pika 1, të Rregullores së Kuvendit, shumicë e thjeshtë votash për miratim)

5. Projektvendim “Për caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit”.

(Në mbështetje të nenit 78, pika 1, të Kushtetutës, si dhe të neneve 21/1 dhe 55, pika 1, të Rregullores së Kuvendit, shumicë e thjeshtë votash për miratim)

6. Diskutime për çështje të evidentuara nga zgjedhësit. (Në mbështetje të nenit 40/1, koha e diskutimeve për çështje të evidentura nga zgjedhësit, e cila është jo më shumë se 4 orë, ndahet të mënyrë të barabartë mes shumicës dhe pakicës, duke marrë parasysh edhe deputetët jashtë grupeve parlamentare.)

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb