Në kuadër të ndeshjes ndërkombëtare të futbollit ndërmjet kombëtareve të Shqipërisë dhe Bjellorusisë, e cila zhvillohet mbrëmjen e sotme në orën 20:45 në stadiumin “Air Albania”, Policia e Shtetit në bashkëpunim me Policinë Bashkiake të Tiranës ka hartuar një plan të detajuar masash për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

Për të lehtësuar qarkullimin e mjeteve dhe për të parandaluar çdo incident para, gjatë dhe pas sfidës, autoritetet do të aplikojnë kufizime të lëvizjes së automjeteve në disa prej akseve kryesore në afërsi të stadiumit, duke filluar nga ora 17:00 e ditës së sotme (26 shtator 2026) e deri në përfundim të aktivitetit.

Gjatë këtij orari do të bllokohet qarkullimi i automjeteve në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nga fast food-i “Laguna” pranë urës së ish-Hotel Dajtit, në rrugën “Papa Gjon Pali II” te kryqëzimi i RTSH-së, si dhe në rrugët “Dervish Hima” e “Asim Zeneli” pranë Ambasadës së SHBA-së. Po ashtu, kufizime do të ketë në hyrje të rrugës “Themistokli Gërmenji”, te kryqëzimi i rrugës “Ismail Qemali” me RTSH-në, si dhe në rrugën “Abdyl Frashëri” pranë Librit Universitar. Rruga “Lekë Dukagjini” pranë ish-Gardës do të shërbejë vetëm si korridor hyrës për parkimin e mjeteve të autorizuara nga FSHF-ja, ndërsa te sheshi “Willson” lëvizja do të devijohet drejt rrugës “Sami Frashëri” pak para përfundimit të ndeshjes. Rruga e Elbasanit, Unaza e Qytetit dhe bulevardi “Bajram Curri” do të mbeten plotësisht të lira për qarkullim.

Policia e Shtetit njofton se portat e stadiumit do të hapen që në orën 18:30 për të shmangur radhët e gjata. Efektivët do të ushtrojnë kontrolle të imtësishme ndaj të gjithë tifozëve para futjes në tribuna, duke ndaluar kategorikisht futjen e banderolave me përmbajtje raciste, lëndëve piroteknike si fishekzjarret e flakadanët, si dhe objekteve të forta apo të rrezikshme përfshirë monedhat metalike, çadrat, çakmakët, karikuesit e celularëve dhe produktet kozmetike. Për këtë aktivitet sportiv janë angazhuar qindra punonjës policie për të garantuar që çdo gjë të përmbyllet pa incidente.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb