Uzurpimi i News24 nga Policia e Shtetit, mbyllja e sinjalit në mënyrë arbitrare dhe ndalimi i gazetarëve me forcë për të ushtruar detyrën e tyre ishte kryefjala e rrjeteve sociale.
Mijëra e mijëra ndjekës kanë dënuar këtë akt barbar, duke shprehur solidaritet për të gjithë punonjësit. Avokatë, politikanë, gazetarë e shumë personazhe publikë janë treguar solidarë me qëndrimet e tyre kundër një prej veprimeve banditeske të kësaj qeverie.
Ja disa prej komenteve të personazheve të njohur:
Jorida Tabaku, politikane:
“Kur regjimet kanë frikë nga e vërteta, dërgojnë policinë te dyert e medias.
Ashtu si po ndodh sot në fillim të gushtit, kur forcat e policisë u shfaqën para News 24, pa vendim gjykate, me skena dhune që i shkojnë vetëm një shteti autokratik.
Kjo është fytyra e vërtetë e qeverisë: një pushtet që kontrollon çdo gjë, por kur nuk mund të blejë apo shantazhojë, përdor forcën.
Rrethimi i News 24 nuk është thjesht presion ndaj medias – është një sulm i hapur ndaj demokracisë.
Një vend kandidat për BE nuk mund të trajtojë median kësisoj.
Bashkimi Europian nuk pranon vende ku shtypi rrihet, ku gazetarët kërcënohen dhe ku e vërteta shkelet me çizme.
Sot është News 24, nesër mund të jetë çdo zë i lirë.
Dhe atëherë nuk do të ketë më kush të flasë.”
Basir Çollaku, politikan
“Rama-news 24, fabrikë armësh kundër “fabrikës” së fjalës
Fabrikë armësh në vend të News 24..Bëje fabrikën në Bulevard, kush ta prish terezinë. Nuk mund të dëshmonte më shumë se kaq dhe më hapur, çfarë urren KM. Nuk është hera e parë. Po kthehet në sjellje të përditshme lufta kundër medies e fjalës së lirë. Becchetti, News 24, Ora news, Syri tv, sulmet e Ramës janë kanibalizëm ndaj fjalës. Por tani është në hall të madh. Për të marrë vëmendje e opinionit publik, për të shmanguar atë çka po ndodh, me sekuestrimet e arrestimet e trafikantëve të tonelatave kokainë, të qindra milionë euro të pastruara nga lejet e tij, i duhet një kurban i madh. Nuk i mjaftoi Thethi, hapësirat publike, shkarkimet nëpër bashki, bashkiak i pjesshëm i Tiranës. Jo. Nuk lahet dielli me shoshë…Për të mos e marrë përpara orteku i emrave ortakë të tij zgjedhorë. Fituesit e tij. Votëmbledhësit e tij narkotikë me 11 maj dhe më herët prej 12 vitesh. Rrethuar nga krimi dhe bandat mafia dhe babëzia Edi Rama po përpiqet të fshihet duke u zhvendosur. Njëherësh përpiqet të japë mesazhet se Kodi i Ri nuk është thjesht një draft pasi ai e zbaton atë të pamiratuar. Në harkun e një muaj dosjet e ardhura nga partnerët me miellin e sky-enchro janë treguar se si janë gjezdisur miliarda euro. Këto streha të pastrimit të parave të drogës nuk janë ndërtuar pas kurrizit të dardhaxhiut naiv por me lejen e tij. Investitorët strategjikë janë nga parcelat e Mafias. Ramën nuk e rrezikojnë aspak ndërkombëtarët pasi ai do shembet në ndërtesën e drogës ngritur prej tij. Pas çmimit amerikan për prangosjrn e trafikantit në pushtet Maduro, duket se Ramaduro është në panik. Ndaj mbyll News 24 një nga mediet më të mëdha e më me ndikim në vend. Televizion jo zyrë shtypi e qeverisë. Kur shumica e medieve, madje dhe ato kombëtare janë kthyer në kompani qeveritare si investitorë strategjikë. E ka braktisur edhe Fuga. Duke menduar si pushtues institucionesh, pandeh se mjaftojnë zeqine-zeqirët si ofertë për demokracinë. Dikur me gjithë mëkatet politike kishte edhe PS, tani mos dyshoni, aty ka Ndranghetë dhe Sinaloa.”
Artur Meçollari, ish-komandant
“Njoftoni Presidentin për News 24.
Unë nuk jam shprehur deri tani për bllokimin e sinjalit të News 24 nga Policia e Shtetit se pres Presidentin e Republikës si institucion mbi palët të më orientojë. Kur ndodh ndonjë fatkeqësi natyrore në Lindjen e Largët Presidenti shpre ngushëllimet menjëherë. Po këtë ngjarje ta ketë marrë vesh vallë????
Policia Ushtarake në veprim.
Ka marrë nën kontroll News 24.”
Artan P. Gjergji, ekspert banker
“Mbyllet një media për të hapur një fabrikë armësh…”
Analisti Shpend Gashi:
“Sulmi ndaj News 24, një televizioni që unë personalisht e vlerësoj shumë, pasiqë ka qenë një hapësirë ku asnjë mendim, fjalë apo edhe veprim i imi nuk është çensuruar, është një tregues i qartë i instalimit të Diktaturës si dhe një tregues force për krijimin e një Propagande ku Mediat tanimë do jenë të detyruara t’i bëjnë fresk Qeverisë!
Shumëkush mund të kënaqet e të thojë mirë ia bëri se Irfani, Shpendi, X, Y janë kështu e ashtu, por mos harroni që rradhën e keni ju dhe pronat tuaja tani!
Sa i përket përplasjes për pronësinë, së pari duhet të ketë një vendim të prerë gjykate dhe së dyti, a ka edhe media të tjera në konflikt gjyqësor për pronësinë e Godinës? Ka, por ato janë të Qeverisë.
Ç’po ndodh përpara syve tanë, është ç’ka ndodhi nga 45 deri në 48 me regjimin komunist!
Ta gëzoni Enverin dhe Komunizmin! Nuk do më duket çudi kur të thoni që CNN, BBC apo Rai janë produkte të revizionizmit perëndimor dhe që këto vende vuajnë për bukë, ndryshe nga ne që kemi prosperitet!
Nuk di të qaj apo të qesh me pafytyrësinë e kësaj shoqërie të tredhur që bën sehir, kur digjet shtëpia e tjetrit!
Sot unë jam News24!”
Luli Progni, gazetare
“Sinjali i fundit
Mëngjesin e sotëm, dhjetëra forca policore rrethuan godinën e News 24. Brenda pak minutash, sinjali u ndërpre.
Për një gazetar, kjo është një skenë që shkakton dhimbje, trishtim dhe tmerr. Pushteti, pa dyshim, do të paraqesë argumentet e tij publikisht në orët në vijim për ngjarjen. Një pjesë e opinionit publik do ta shohë thjesht si mosmarrveshje mes botuesve të News 24 dhe pushtetit. Ende nuk dihet arsyeja e vërtetë, por një gjë e di me siguri: se policia nuk ka rrethuar këtë mëngjes ato media, drejtuesit e të cilave, ndoshta duhet të përfundonin para gjyqit me akuza për shantazhe dhe gjobëvënie (Informacion nga gazetarë të kronikës, të cilët thonë se drejtësia i ka provat për këto akuza nëpër dosjet e mbuluara nga pluhuri).
Kjo që ndodhi sot duhet të jetë një moment reflektimi për të gjithë ne gazetarët. Sfidoj secilin koleg, që të dalë sot dhe të thotë: “PO, UNË GËZOJ LIRI PROFESIONALE NË MEDIAN KU PUNOJ!” Në të kundërt, sot është dita të rrëfejmë historinë tonë të censurës dhe shkeljes dhunshëm të lirisë profesionale nga pushteti.
Sinjali i fikur i News 24 nuk është çështje personale e një pronari; është shumë më tepër se kaq. Media, qoftë ajo shtetërore apo private, është në një farë mënyrë pronë e publikut. Është mjeti për t’u shprehur lirisht, është vetë liria e shoqërisë.
Nëse një stacion televiziv mbyllet në mënyrë demonstrative nga forcat policore, kjo nuk tregon më shumë se veç arrogancën e pushtetit.
Liria e shprehjes duhet të jetë e panegociueshme. Sot, ajo është vënë në diskutim dhe nëse nuk reagojmë, e nesermja do të jetë ndryshe.”
Gazetare Dorjana Bezat:
“Solidaritet me kolegët e News 24
Fjala e lirë dhe e drejta për informim janë të rëndësishme.
Gazetarët nuk duhet të vuajnë pasojat e lojërave politike, presioneve apo ndërhyrjeve të tjera.”
Gazetare Ola Mitre:
“Ajo që po ndodh me NEWS 24 dhe Focus Media Group është një goditje e drejtpërdrejtë e të drejtave të gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të medias.
Sot jam pranë çdo gazetari, kameramani, montazhieri dhe punonjësi të këtij grupi mediatik, që po përballet me këtë situatë të padrejtë.
Nuk e mendoja kurrë se në godinën, ku kam dhënë 7 vite të jetës sime profesionale, do kisha një foto me policë në sfond!”
