SPAK dhe GJKKO kanë reaguar pas akuzave të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ku ai kishte publikuar një pjesë të procesverbalit të një seance gjyqësore, duke pretenduar se prokurori Ols Dado e kishte quajtur atë “ndyrësirë”.
SPAK dhe GJKKO përgënjeshtrojnë Veliajn duke deklaruar se “pas verifikimit të sistemit audio dhe shqyrtimit të procesverbalit të seancës gjyqësore të datës 12.02.2025, nuk ka rezultuar se prokurori ka përdorur këtë fjalë në asnjë moment”.
Sqarimi i GJKKO-s dhe SPAK ka ardhur pas kërkesës për informacion nga mediat dhe opinioni publik, duke bërë të qartë se pjesa e cituar nga Veliaj nuk është e vërtetë.
Reagimi i GJKKO: Nisur nga interesimi i lartë dhe i vazhdueshëm nga ana juaj, duke paraqitur dhe kërkesa për informacion, në bazë të ligjit Nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, i ndryshuar, në lidhje me vërtetësinë e pjesës së procesverbalit të seancës gjyqësore, të datës 12.02.2025, të publikuar ditën e sotme nga personi nën hetim Erion Veliaj, në rrjetin e tij social në “Facebook”, ju bëjmë me dije se nuk është i vërtetë.
Nga verifikimi i bërë në sistemin audio, të seancës gjyqësore për marrjen në pyetje të personave nën hetim Erion Veliaj, etj., të datës 12.02.2025, konkretisht intervali kohor 6:34:02 PM – 6:34:57 PM (të cilit i referohet i hetuari Erion Veliaj në postimin e tij) si dhe nga procesverbali i seancës gjyqësore, nuk rezulton që të jetë përdorur fjala “ndyrësirë” nga ana e prokurorit Ols Dado në asnjë moment.

Reagimi i SPAK: Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ju informon si vijon: Procesverbali i seancës gjyqësore i datës 12.02.2025, në faqen 292, e numërtuar nga Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) dhe audio e kësaj seance nuk përfshijnë fjalët e përmendura nga personi nën hetim, E.V., të publikuara sot në media. Kjo mësipër është faqja 292 e procesverbalit të skanuar, e firmosur nga sekretarja e GJKKO-së.
Akuzat e Veliajt
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka publikuar pjesë nga seanca e GJKKO-së. Në këtë pjesë, prokurori Ols Dado i thotë Veliajt “ndyrësirë”, “nuk ke turp, po më kërcënon”. Veliaj shprehet se ky dialog zhvillohet në “thertoren e Erion Kasapit”, duke iu referuar gjyqtarit Erion Bani. “Kjo gjuhë dhe atmosferë, sikur Sigurimsat janë kthyer nga penxherja, pasi i nxorrëm nga dera, nuk duhet toleruar më”, shkruan Veliaj.
Postimi:
Ky është një nga dialogjet në thertoren e Erion Kasapit! Lexojeni se me çfarë gjuhe flet prokurori i SPAK-ut, aq të ulët sa edhe Erion Kasapi duket xhentëllmen para tij! Kjo gjuhë dhe atmosferë, sikur Sigurimsat janë kthyer nga penxherja, pasi i nxorrëm nga dera, nuk duhet toleruar më.

(BalkanWeb)
