Analisti Fatos Lubonja ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend gjatë një interviste në studion e News24, pas reagimit të Komisionit Evropian për BalkanWeb dhe News24, ku theksohet se Kuvendi duhet të trajtojë me shpejtësi çështjen e mandatit të deputetes Belinda Balluku.

Sipas Lubonjës, problemi kryesor qëndron te mungesa e guximit institucional dhe e parimit të drejtësisë, të cilin ai nuk e sheh të zbatuar në nivelin e duhur. Analisti kritikoi veçanërisht rolin e SPAK-ut, duke u shprehur se institucioni duhej të kishte vepruar më herët dhe më drejtpërdrejt.

“Mendoj se faktor kryesor do të ishte guximi dhe parimi i drejtësisë, që nuk e shoh në nivelin e duhur, qoftë edhe te vetë SPAK-u, i cili duhet të kishte kërkuar arrestimin e Ballukut dhe heqjen e imunitetit, pa e çuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese,” u shpreh Lubonja.

Ai shfaqi gjithashtu dyshime mbi vendosmërinë e faktorëve ndërkombëtarë për të ndikuar realisht në këtë çështje, pavarësisht rolit të tyre të rëndësishëm. Sipas tij, reagimet politike nga partnerët ndërkombëtarë kanë qenë të zbehta.

“Nuk jam i sigurt nëse faktori ndërkombëtar, edhe pse i rëndësishëm, është aq i vendosur sa të ketë parë një padrejtësi dhe të kërkojë ndryshime. Deklaratat politike mungojnë,” theksoi analisti.

Në këtë kontekst, Lubonja solli si shembull qëndrimin e mëparshëm të ndërkombëtarëve ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, kur ky i fundit sulmonte SPAK-un.

“Kur Berisha sulmonte SPAK-un, ata ndërhynin hapur, ndërsa tani nuk thonë asnjë fjalë për Ramën. Duhej të ishte shtuar reagimi dhe shqetësimi i BE-së për Ramën dhe për ato që kanë ndodhur,” përfundoi Lubonja.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb