Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Bislim Ahmetaj, i ftuar në emisionin “Studio24” në News24, ka komentuar kërkesën e sotme të SPAK për arrestimin e zv.kryeministres Belinda Balluku, duke folur për një situatë të rënduar brenda mazhorancës.
Sipas Ahmetajt, alarmi në kampin e majtë ka rënë prej kohësh dhe qeveria ndodhet në një gjendje shthurjeje të plotë. Ai tha se Balluku po ushtron presion ndaj kryeministrit Edi Rama për t’i shpëtuar, sipas tij, masave ndëshkuese, ndërsa reagimi i Ramës këtë të hënë ishte shenjë e dëshpërimit në kulmin e tij.
“Rama po përdor armët e fundit, duke përmendur 83 mandatet dhe duke pretenduar se populli i ka besuar qeverisjen. Këto mandate janë rrëzuar nga raporti i OSBE/ODIHR, i cili evidentoi se në zgjedhje shteti dhe partia ishin një”, u shpreh Ahmetaj.
Ai paralajmëroi se mazhoranca pritet të futet në një fazë shthurjeje totale, ndërsa shprehu shqetësimin se në mbledhjen e Komisionit të Mandateve mund të ndodhë gjithçka, përfshirë edhe vonimin e dërgimit të kërkesës së SPAK në Kuvend deri në tre muaj, në bazë të rregullores.
Sipas Ahmetajt, proceset mund të ecin paralelisht me vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa theksoi se vendosmëria e SPAK është në një pikë vendimtare. “Ose SPAK do të mbyllet si prokurori përmes një vendimi të çmendur të Edi Ramës, ose do ta çojë çështjen deri në fund”, deklaroi ai.
